Monaco vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të markave të luksit gjatë sezonit veror. Këtë verë, Gucci ka sjellë konceptin e saj ikonik në La Rose des Vents, një nga beach club-et më elegante të principatës, duke e shndërruar atë në një kombinim të modës dhe atmosferës relaksuese të rivierës.
Për këtë bashkëpunim, marka italiane ka dekoruar ambientet me motivin e famshëm Flora, një print i krijuar fillimisht në vitin 1966 për Grace Kelly. Shezlongët, çadrat e diellit, jastëkët dhe elementët dekorativë janë veshur me motive shumëngjyrëshe lulesh, duke krijuar një identitet unik vizual.

Përveç zonës së plazhit, vizitorët mund të vizitojnë edhe një Gucci pop-up boutique, ku ofrohen çanta, aksesorë, syze dielli dhe artikuj ekskluzivë të frymëzuar nga stili i Rivierës. Kjo nismë është pjesë e strategjisë së shtëpive më të mëdha të modës për të krijuar destinacione verore që ndërthurin turizmin me luksin.

Menuja e beach club-it përfshin gatime mesdhetare, specialitete me produkte deti, sallata, makarona të freskëta, kokteje dhe verëra premium. Çmimet janë në përputhje me standardin e Monacos, ku një koktej kushton mesatarisht nga 25 deri në 35 euro, ndërsa pjatat kryesore nisin nga 40 euro dhe mund të kalojnë 100 euro, në varësi të përzgjedhjes.

Për rezervimin e shezlongëve në vijën e parë të plazhit kërkohet zakonisht prenotim paraprak, veçanërisht gjatë sezonit të verës, për shkak të kërkesës së lartë.

Vitet e fundit, marka prestigjioze si Gucci, Dior, Jacquemus, Burberry dhe Dolce & Gabbana kanë kthyer transformimin e beach club-eve më të njohura të Mesdheut në një trend të turizmit luksoz, duke ofruar eksperienca ekskluzive që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.
/ abcnews.al /


