Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Ukraina duhet të fitojë luftën kundër Rusisë, teksa ai vizitoi qytetin e Irpin pranë kryeqytetit të Kievit, sipas BBC.
“Franca ka qenë përkrah Ukrainës që nga dita e parë. Ne jemi pranë ukrainasve pa asnjë dyshim. Ukraina duhet të rezistojë dhe të fitojë,” u tha Macron gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me komentet e tij të mëparshme se Rusia nuk duhet të poshtërohet.
Duke qëndruar pranë ndërtesave të shkatërruara, të djegura, ai dhe udhëheqësit e Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë dukeshin të shqetësuar ndërsa dëgjonin një zyrtar ukrainas që shpjegonte se çfarë kishte ndodhur atje.
Më pas Macron u tha gazetarëve, “është një qytet heroik, i shënjuar nga stigma e barbarizmit”.
Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për mizoritë e shumta në Irpin ndërsa nga ana tjetër Rusia i ka mohuar akuzat.
/abcnews.al