Britani, Assange: Nuk do ta lejoj ekstradimin në SHBA

schedule20:40 - 2 Maj, 2019

schedule 20:40 - 2 Maj, 2019

Në Londër është zhvilluar seanca e parë e gjyqit për ekstradimin e themeluesit të Uikiliks në Shtetet e Bashkuara. Vetë Xhulian Asanzh ka deklaruar se nuk do ta lejojë deportimin në Amerikë vetëm sepse bëri gazetari dhe mbrojti njerëz.

Themeluesi i Uikiliks, Xhulian Asanzh ka deklaruar se nuk do ta lejojë ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ku përballet me akuzën e publikimit të sekreteve qeveritare. Seanca për ekstradimin e tij është mbajtur të enjten, një ditë pasi ai u dënua me 50 javë burg për shkelje të lirisë me kusht, pas arrestimit të tij muajin e kaluar. Asanzh mori pjesë në proces përmes një video-konference të lidhur me gjykatën e Uestminsterit. Kjo e fundit deklaroi se procesi i ekstradimit mund të kërkojë shumë muaj dhe e caktoi seancën e radhës për më 30 maj. “Nuk dua t’i vetëdorëzohem ekstradimit vetëm sepse bëra një gazetari që ka fituar shumë çmime dhe mbrojtur shumë njerëz”, deklaroi Asanzh. Ai u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012 për t’i shpëtuar ekstradimit në Suedi, ku akuzohej për agresion seksual. Tani, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar do të vendosin nëse do ta deportojnë atë në Shtetet e Bashkuara, për të dhënë llogari për akuzën e komplotit në bashkëpunim me ish-oficerin e marinës amerikane Çelsi Mening për të shkarkuar dokumente të klasifikuara. Nëse dërgohet në Shtetet e Bashkuara, Asanzh rrezikon të përballet me 5 vjet burg në rast se shpallet fajtor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!