Dajna Sorensen: 60 mijë shqiptarë përfitojnë pension në Kanada

schedule14:52 - 1 Maj, 2019

schedule 14:52 - 1 Maj, 2019

Dajna Sorensen, Zv.ministre e Ekonomise dhe Financave ka qenë e ftuara e ditës ku ka ndarë informacione të rëndësishme me gazetaren Bruna Çifligu në studion e Abc News.

Zv/ministrja bëri me dije se ditët e fundit është nënshkruar një marrëveshje e rëndësishme për mbulimin e pensioneve të shtetasve shqiptarë dhe kanadezë. Marrëveshja pritet të ratifikohet në parlamentet respektive të të dy vendeve.

Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribut, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez pavarësisht rezidencës së tyre.

Aktualisht janë rreth 60 mijë shqiptarë që jetojnë në Kanada, të cilët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Sipas Zv/ministres, Shqipëria ka marrëveshje edhe me 7 vende të tjera evropiane, ku shqiptarët përfitojnë nga skema e pensioneve, aktualisht janë rreth 660 persona që përfitojnë.

E pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu nëse ka një skemë të tillë edhe në vendet ku shqiptarët janë më të shumtë në numër, siç është Greqia dhe Italia, ministrja bëri me dije se, fatkeqësisht me Greqinë ende nuk është filluar nga puna, ndërsa me Italinë janë ende në tratativa për të arritur një marrëveshje të kësaj natyre.

Sorensen ka informuar gjithashtu të rejat nga panairi “Work and Study”, i cili është duke u zhvilluar këto ditë në Tiranë. Zv.ministrja tha se, janë rreth 6000 vende pune të ofruara nga sektori privat, në këtë panair.

Këto vende pune, ofrohen nga kompani të ndryshme, si fasoneri, industria ushqimore, pastrimi, call center etj. Ajo theksoi se këto vende pune që ofrohen janë të mirë-paguara dhe ofrojnë kushte shumë të mira pune. Paralelisht, panaire pune do të ketë edhe në qytetet e tjera në vend, theksoi ajo./ABC News Albania 24/7