Abc ka zbardhur dëshminë e Hysen Picit, shoferi i cili përplasi me makinë 2 efektivë policie në Durrës mbrëmjen e 9 qershorit.
Gjatë seancës së mbajtur ditën e sotme, ai ka deklaruar se gjithçka e bëri nga gjaknxehtësia dhe nga paniku, pasi kishte armë me vete.
Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.
Pici: Më vjen shumë keq për gjithçka ndodhi. E di që bëra gabim që u futa kundravajtje, por s’kishte makina dhe mendova t’i bija shkurt. Në këtë moment më dolën policia përpara. Më kapi paniku sepse kisha armë me vete dhe tentova të largohesha me qëllim mos të më kapnin me pistoletë. Më vjen keq edhe për efektivin e lënduar, nuk doja ta godisja. Kam qenë vetëm në makinë.
Ndërkohë që Pici deklaron se ishte vetëm në makinë, burime bëjnë me dije se me të ndodhej Aldo Avdylaj.
Lexo edhe: “I forti” i Durrësit përplasi dy ditë më parë me “Range Rover” efektivët, dyshohet se në makinë ishte edhe Aldo Avdylaj
Ky i fundit akuzohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Në momentin e arrestimit Picit ju gjet armë zjarri me vete.
Si ndodhi ngjarja
Policia i ka bërë me shenjë mjetit për të ndaluar pasi kishte informacion se aty udhëtonte një person i rrezikshëm, por makina ka devijuar rrugën dhe ka nisur të ecë në sens të kundërt, ndërkohë që përballë i ka dalë një tjetër patrullë policie, por mjeti ka vijuar rrugën duke përplasur dy policë.
Njëri prej tyre u dërgua në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që polici tjetër mori lëndime më të lehta, ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë në ajër disa herë për të lajmëruar kolegët.
Pas kësaj mjeti ka vijuar rrugën drejt Vilës së Zogut, por aty është ndaluar nga patrulla e policisë ku është arrestuar drejtuesi i “Range Rover”, të cilit i është gjetur dhe një armë zjarri.
Ndërkohë që personi tjetër, (dyshohet Avdylaj), ka marrë armët e tjera të zjarrit në makinë dhe ka mundur t’i shpëtojë policisë për shkak të errësirës./abcnews.al/