“Boshatiset” Egnatia, 3 lojtarë përshëndeten me rrogozhinasit

schedule17:38 - 12 Qershor, 2022

schedule 17:38 - 12 Qershor, 2022

Egnati vazhdon të “boshatiset”, ku pas largimeve të Bruno Telushit, Demir Imerit dhe Guilherme Eller, ditën e sotme tre futbollistë të tjerë janë përshëndetur me rrogozhinasit.

Bëhet fjalë për Artur Magani  dhe Klevis Hasanbellin dhe Ildi Shyti. Sulmuesi peqinas ka qenë vetë ai që ka lajmëruar largimin nga Egnatia nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ndërsa largimin e portierit e ka bërë të ditur vetë klubi.

Magani shkruan: “Përshëndetje! Ishte kënaqësi të isha pjesë e Egnatias. Në këto dy vite kemi kaluar shumë momente të mira me të gjithë shokët e skuadrës.

Falënderoj të gjithë tifozët e mrekullueshëm ULTRAS EGNATIA për mbështetjen e vazhdueshme. Nga sot jam lojtar i lirë”.

Magani ishte bashkuar me Egnatian që verën e vitit 2020 në Kategorinë e Parë dhe sezonin e shkuar ai luajti 28 ndeshje, duke shënuar 3 gola në Abissnet Superiore.

Në të shkuarën në elitë sulmuesi ka luajtur me Shkumbinin dhe Teutën, ndërkohë që ka veshur edhe fanellën e Gramshit e Kamzës në Kategorinë e Parë, veç eksperiencave në Kosovë me Lirinë dhe Feronikelin.

“Klub Futboll Egnatia njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me sulmuesin Artur Magani dhe portierin Klevisi Hasanbelli. Klubi i uron suksese në karrierë dy futbollistëve. Magani & Hasanbelli ishin pjesë e suksesit historik duke ngjitur Egnatian në Kategorinë Superiore” shkruan klubi.

Gjithashtu edhe mesfushori Ildian Shyti ka konfirmuar largimin e tij nga Egnatia. Në profilin e tij zyrtar në Instagram, Shyti konfirmoi largimin nga klubi, duke shkruar:

“Kënaqësi që isha pjesë e kësaj skuadre. Falënderoj presidentin dhe veçanërisht tifozët e Egnatias për mbështetjen e dhënë ndaj meje”, shkroi mesfushori 29-vjeçar, i cili luajti 13 ndeshje në Superiroe sezonin e shkuar, ku shënoi vetëm një gol.

/f.a/abcnews.al