Përveç se kanë vrarë në mënyrën më makabre Aleksandër Sadikajn, organizatorët e atentatit të sotëm në Tiranë duket se nuk kanë marrë fare parasysh edhe se mund të vrisnin edhe persona të tjerë.
Lënda plesëse shpërtheu në aksin Tiranë-Elbasan, vetëm pak metra larg rrethrrotullimit që të fut në autostradën në drejtim të Elbasanit. Për shkak të punimeve që po bëhen në rrugë, pranë vendit të ngjarjes janë mjaft mjete pune, punëtorë si edhe ka patur makina të tjera në trafik, por kjo nuk i ka ndaluar autorët që të vepronin sipas planit të tyre.
Ka të dhëna se shpërthimi është bërë me telekomandë dhe gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së një karburanti që ndodhet aty pranë.
Mësohet se Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, doli me shenja jete nga makina, me njërën prej këmbëvve të prera si edhe me plagë të shumta në trup, por humbi më pas jetën në spital prej hemoragjisë.
Policia nuk ka ende një pistë hetimi, megjithatë rezulton se i riu është proceduar më parë penalisht për tentativë vrasje. Nuk ka të dhëna nëse të dyja ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën pasi është shumë herët dhe policisë i duhet të bëjë kërkime të tjera për të patur një pistë të mirëfilltë hetimi. /abcnews.al