Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka paralajmëruar për rritjen e pasigurisë ushqimore për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe karburantit për shkak të luftës në Ukrainë, sipas BBC.
FAO tha se lufta në Ukrainë dhe bllokimi i porteve të Detit të Zi nga Rusia do të thotë se vendet më të cenueshme të botës po paguajnë më shumë për më pak ushqime. Rusia dhe Ukraina prodhojnë një të tretën e grurit në botë, ndërsa Rusia është furnizuesi kryesor i plehrave.
Kostot globale të importit të ushqimit pritet të arrijnë një rekord të ri prej 1.8 trilion dollarë këtë vit, jo për shkak të rritjes së importeve, por për shkak të çmimeve më të larta. Shumë fermerë në vendet me të ardhura të ulëta nuk mund të përballojnë më te blejnë plehrat ruse, gjithashtu edhe të korrat e tyre janë reduktuar shumë.
Në rajonin Sahel të Afrikës, agjencive të ndihmës së OKB-së u është dashur të shkurtojnë racionet. OKB-ja ka kërkuar që Rusia të zhbllokojë portet e Ukrainës në Detin e Zi, për të lejuar eksportin e miliona tonë drithërave por një marrëveshje dhe çminimi i porteve mund të zgjasë me muaj.
FAO e ka përshkruar situatën si alarmante dhe po kërkon një strukturë financimi të importit të ushqimeve për të mbrojtur vendet më të varfra nga rritja e çmimeve.
/abcnews.al

