Në Samitin e Ballkanit të Hapur që po mbahet në Ohër, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij serb Aleksander Vuçiç janë pyetur nga gazetarët rreth deklaratave të ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov, dhe nëse Rusia është “kumbarë” e kësaj nisme.
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë falenderoi Ali Ahmetin për praninë në sallë dhe shtoi se të gjithë ata që duan të kuptojnë Ballkanin e Hapur duhet të shohin rrugëtimin e Ahmetit dhe nëse Maqedonia e Veriut është më mirë sot kur shqiptarët dhe maqedonasit bashkëjetojnë në harmoni apo më përpara kur konsideroheshin armiq.
Ndërsa, sa i përket Rusisë dhe marrëdhënies së saj me Serbinë, Rama solli në vëmendje se nuk priti askush luftën në Ukrainë që të vihej në pa marrëdhënia dhe historia mes dy vendeve që ka ekzistuar prej vitesh tashmë. Sipas tij, thonë për SHBA që është kundër nismës por, “SHBA është sot këtu,” dhe thonë që Rusia e mbështet, por “Lavrovi nuk është i pranishëm në këtë Samit.”
Kryeministri theksoi se ne nuk mund t’i zgjedhim fqinjët, por mund të zgjedhim që të jetojmë në harmoni me ta.
“Falenderoj Ali Ahmetin për praninë e tij këtu. Ai është një nga pionerët e Ballkanit të Hapur edhe kur ne nuk ishim akoma këtu ku jemi. Mjafton të shohim sot se çfarë është sot i gjithë sistemi institucional i RMV, dhe çfarë ishte kur Ahmetit i thoshin që ulej me armiqtë…më të cilët ndante tokën e qiellin e këtij shteti. Ishte një kohë kur as nuk mund të imagjinohej që gjuha shqipe do të ishte shqiptare…Kush do të dijë çfarë është Ballkani i Hapur, një nga mënyrat është të shoh rrugëtimin e Ali Ahmetit. Është më mirë RMV falë kësaj bashkëjetese apo më keq?
Fatmirësisht Ballkani i Hapur nuk është as OKB as BE, nuk anëtarësohesh, integrohesh sipas dëshirës tënde. Kjo do të thoshte që ne të vëmë standarde dhe kushte. Ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë BE, po sesi e bëjmë punën në Ballkan e kemi në dorë. E kemi parë sesi funksion puna me atë tregun e përbashkët. Te tregu i përbashkët mund të vendoset veto, s’ka diploma, s’ka kanale të gjelbra…shumë nga gjërat që ne po i bëjmë.
Sa i përket deklaratave të ministrit të jashtëm rus, bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë në oqeanin e diplomacisë botërore, i mirënjohur për sarkazmat e tij. Shumë peshq kanë rënë në rrjedhën e trukeve të tij. Nëse ai do të ishte mbështetës i Ballkanit të Hapur ai do të ishte këtu. Këtë lloj fabule, e hanë vetëm peshqit e Ballkanit të Mbyllur, atyre s’kemi ç’tu bëjmë. Ballkani i Hapur është për njerëzit dhe kaq. Të peshkosh në këtë ujin e historisë së marrëdhënieve ballkanike, për të dëmtuar procese që janë në thyerje me të shkuarën dhe në ngjitje me të ardhmen. Është e kollajshme por s’ka për të funksionuar. E kemi ditur që Rusia ka një marrëdhënie të veçanti me Serbinë, as na ka penguar, as na pengon kjo histori. E duhet ta vazhdojmë këtë rrugë që të ndërtojmë një histori të re,” tha Rama. /abcnews.al/
Edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i ka mohuar deklaratat e ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov se “Ballkani i Hapur” është mbështetur nga Moska. Në konferencën e përbashkët në samitin e Ohrit, Vuçiç kujtoi se ideja e kësaj nisme ishte e tij, ish-kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe Edi Ramës. /abcnews.al/