Nga Erblina Mile
Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut vijojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjes së qytetarëve shqiptarë. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2021 grupi i sëmundjeve që lidhen me zemrën dhe ishemitë zënë 52,4 % të vdekjeve gjithsej. Shqetësues është fakti se krahasuar me një vit më parë , kjo grup sëmundje ka shënuar një rritje prej 10,8 %.
Shqetësues është edhe fakti se ka një rritje të nivelit të vdekshmërisë nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes me gati 1.5 herë. Po ashtu edhe tumoret kanë shkaktuar më shumë humbje jete gjatë vitit të kaluar.
Në total numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2021, është 30.507, duke shënuar një rritje prej 10,5 % vdekje më shumë, krahasuar me vitin paraardhës. Rritja e vdekshmërisë gjatë vitit 2021 sipas ekspertëve është ndikuar edhe nga pasojat që covid shkaktoi në shëndetin e përgjithshëm të popullsisë dhe një faktor që e tregon këtë është rritja e numrit të vdekshmërisë nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes.
Gjatë kohës së pandemisë shumë qytetarë me sëmundje të renda anashkaluan mjekimin për shkak të frikës duke rënduar gjendjen shëndetësore. Sipas gjinisë,regjistrohen 3200 humbje jete më shumë për meshkujt .
Nëse bëjmë një vlerësim sipas qarqeve Gjirokastra regjistron numrin më të lartë të vdekjeve me për 100 mijë banorë, ndërsa më i ulëti regjistrohet në qarkun Kukës. Qarku i Shkodrës shënon vlerën më të lartë të vdekshmërisë për grupin
“Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” ndërsa qarku Durrës shënon vlerën më të ulët . Gjirokastra rezulton qarku me nivelin më të lartë të vdekshëmrisë edhe për shkak të tumoreve ndërsa kryeqyteti me vlerën më të ulët. /abcnews.al/