Kraja: Ekonomia shqiptare primitive, së shpejti do plasë “bomba” te pensionet

schedule19:38 - 2 Qershor, 2022

schedule 19:38 - 2 Qershor, 2022

Eksperti i ekonomisë, Akil Kraja, në një lidhje me “radari Informativ” të gazetares Juli Xhokaxhi, ka komentuar situatën ekonomike në Shqipëri.

I pyetur nga moderatorja Xhokaxhi se çfarë po ndodh me largimin e shumë bizneseve të huaja nga Shqipëria, Kraja tha se kjo tregon se sa primitive është ekonomia e vendit tonë.

Sipas tij mungesa e krahut të punës, por dhe mos mbrojtja nga ana e shtetit, ka bërë që bizneset e huaja të largohen nga vendi.

Sa i përket rritjes së çmimeve, Kraja ka theksuar se kjo tregon edhe njëherë se sistemi fiskal në Shqipëri është një fluskë që pritet të shpërthejë nga momenti në moment.

Ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të plasë bomba tek pensionet.

Pjesë nga diskutimi:

Xhokaxhi: 140 kompani të mëdha me pronësi të huaj kanë mbyllur aktivitetin e tyre gjatë vitit 2021. Largimi i të huajve që investojnë në Shqipëri çfarë do të thotë?

Kraja: Është kaq problematike situata sa do të duhet të kuptojmë imazhin e madh. Pikësëpari largimi i tyre ka të bëjë me madhësinë e punonjësve, kemi një rënie të qenësishme të numrit të bizneseve të huaja që punësojnë një numër të madh punonjësish, nuk sjellin investime të mëdha, por shfrytëzojnë krahun e punës. 50% e investimeve të huaja në Shqipëri është në fushën e energjisë dhe naftës. Nëse marrim këto dy elementë, kemi investime të huaja që nuk gjenerojnë vende pune por shkojnë si investime në energji, kemi dhe investime të huaja që sjellin vende pune. Nëse i kombinojmë të dyja shohim një ekonomi primitive. Largimi i bizneseve të huaja në këtë kontekst tregon se edhe elementë bazik në ekonomi, Shqipëria ka probleme. Nëse shohim pjesët numerike, emigrimi është real, mosha mesatare 39-vjeç tregon në mënyrë të drejtë për drejtë kompetivitietin e moshës shqiptare. Investitorët e huaj nuk kërkojnë vetëm çmime por dhe cilësi. Emigrimi i viteve të fundit të zhgënjyer nga ky realitet të emigrojnë dhe kostot për investitorët rriten. Pse do vijnë investitorët e huaj në Shqipëri? Nuk ka punëtorë, shteti nuk i mbron investimet e huaja, informaliteti është shtuar. Çfarë shitet në Shqipëri tani? Shitet Butrinti, pra shitet historia. Nuk ishte kot ajo historia e 600 e ca vilave, kjo është pastrim parash, prandaj investitorët nuk vijnë. Situata është tragjike.

Xhokaxhi: Një tjetër shqetësim është rritja e çmimeve që vijon me hapa galopantë?

Kraja: Më gjeni një investitor që mund të jetë me 8 klasë që të investojë në një ekonomi ku shteti dikton çmimet, rrit taksat, tenderat sekretë. Pra në një realitet ku çmimet vendosen nga shteti, bizneset nuk vijnë. Ne shohim në Kosovë dhe Maqedoni, të cilat nuk kanë resurset që ka Shqipëria por naftën e kanë më lirë, sepse këtu vidhet. Çmimi në tregjet botërore ka rënë, pavarësisht sanksioneve, por që në termat që po flasim nuk flitet për një rritje kaq të lartë sa ndodh në Shqipëri. Ka një rritje abuzive.

Xhokaxhi: Brenda pak ditësh do kemi rritje të reja nga produktet që vijnë nga bulmeti? Çfarë duhet të bëjë qeveria, si mund të përballohet kjo?

Kraja: Situata e Covid gjatë vitit 2020 dëshmoi më së miri kapacitetin e ulët të Shqipërisë për të rimbursuar ekonominë e vendit. Fondet për të ndihmuar ekonominë e vendit ishte 2-3 herë më e ulët. E vetmja masë që mund të zbatojë ekonomia shqiptare është të fusë dorën në çmime, shteti është i bllokuar, pra do të rrisë taksat. Në momentin kur çmimet nuk mund të ulen, rriten taksat.

Xhokaxhi: Si mund ta shohim draftin që përfshin sistemin e taksave?

Kraja: Dyfishim i gjobave. Ministrja e financave ka thënë se edhe për një mosrakordim do të ketë dyfishim të gjobave. Prisni bombën atomike më vonë që është ajo e pensioneve. Frika ime është se taksat po rriten se qeveria po e kupton që me emigrim po ikën dhe forca punëtore, situata është katastrofike, ekonomia shqiptare është primitive.

/Abcnews.al/