Ditën e nesërme në Spitalin Amerikan 3 godina B, do të zhvillohet një konferencë me temë “E ardhmja e neurokirurgjisë”, e cila është e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Neurokirurgjisë dhe Shoqata Spanjolle e Neurokirurgjisë.
Të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, neurokirgu Kita Sallabanda dhe zv.Presidenti i Shoqatës Botërore të Neurokirurgjisë, prof. Dr. Jesús Lafuente, kanë treguar se si standardet në Shqipëri janë në të njëjtat nivele me ato në Spanjë.
Sipas mjekëve, një meritë shumë të madhe ka edhe profesor Mentor Petrela.
“Ju falenderoj për ftesën, të vijë këtu me zotin Kita Sallabanda për mua është një nder i veçantë.
Mendoj se në fakt neurokirurgjia është specialiteti më i zhvilluar teknologjik ditën e sotme, qoftë në imazheri, qoftë implantet. Ne kemi dikë si Kita Sallabanda që është aktiv dhe ka vullnet për të shkëmbyer mes dy shoqatave, edhe ky është një nder.
Ne e dimë që standardet këtu në Shqipëri janë në të njëjta nivele me Spanjën dhe fakti që është një vend i vogël, zoti Mentor Petrela e ka ndihmuar Shqipërinë që të jetë në fushën e neurokirurgjisë si disa vende të tjera të Europës”, u shpreh prof. Dr. Jesús lafuente.
“Unë kam 22 vite që kam ikur nga Shqipëria në Spanjë dhe profesor Mentor Petrela është një nga ata që ka hapur kurset e kirurgjisë si në shumë vende të botës. Kjo është një konferencë që është mes Shoqatës Spanjolle të Neurokirurgjisë dhe Shoqatës Shqiptare të Neurokirurgjisë. Vijnë tre profesorë nga Spanja, për të shkëmbyer eksperienca të reja me temë ‘Neurokirurgjia e së ardhmes’.
Ditën e hënë pas 22 vitesh kam bërë operacionin e parë në Shqipëri. Operova një fëmijë në Spitalin Amerikan që e kisha operuar kur ishte 6 muajsh. Ishte kënaqësi të operoja një fëmijë që aktualisht është 25 vjeç. Qëllimisht e kam bërë këtë konferencë që profesorët spanjollë të shohin kushtet e mira që janë në Shqipëri”, tha ndër të tjera Kita Sallabanda./abcnews.al