“U angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë”, Kurti: I pikëlluar nga ikja e Nishanit

schedule17:45 - 28 Maj, 2022

schedule 17:45 - 28 Maj, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani në emër të Republikës së Kosovës. Kurti vlerëson rolin e tij në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, shkruan Kurti.

Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm./abcnews.al/