Gardisti dhunon gazetaren në Kryesinë e Kuvendit

schedule16:12 - 23 Prill, 2019

schedule 16:12 - 23 Prill, 2019

 Në më pak se dy javë, punonjësit e Gardës së Republikës bëhen protagonistë të një tjetër akti dhune ndaj gazetarëve në krye të detyrës.

Teksa reporterët dhe kameramanët po prisnin një prononcim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, në dalje të Kryesisë së Kuvendit, një gardist, ky që po shihni në këtë foto, ushtroi dhunë fizike ndaj gazetares së Televizionit Klan, Ola Xama.

Në mënyrë krejt të beftë, gardisti e ka kapur nga krahu duke e tërhequr me forcë gazetaren, me arsyetimin se po pengonte kalimin e deputetëve.

Pa i kërkuar më parë që të largohej verbalisht, ai ka vënë dorë mbi gazetaren, me një akt që kompromenton jo vetëm atë si punonjës shtetëror, por edhe vete institucionin ku ai shërben.

Por nuk është mjaftuar me kaq. Pas këtij akti, ai ka nisur të ulërasë dhe është dashur reagimi i disa gazetarëve të tjerë që ai të ndërpriste sulmin verbal.

Kjo është hera e dytë që punonjësit e Gardës së Republikës përfshihen në të tilla ngjarje, duke dhunuar gazetarët në detyrë.

11 ditë më parë, një tjetër gardist, truprojë i Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku ushtroi dhunë ndaj gazetarit të Klan Plus, Renaldo Salianji, në prani të kreut të akuzës.

Gazetarët protestuan para Prokurorisë së Përgjithshme për këtë rast. Por ripërsëritja e kësaj ngjarje tregon se vendi i protestës do të duhej të ishte Garda e Republikës, punonjësit e të cilës nuk e kuptojnë as rolin e tyre, as atë të gazetarit dhe as ligjin dhe në zyrat e shtetit sillen gjithë arrogancë, sikur të ishin në pronat e tyre./abcnews.al