Një grup nismëtarësh të partisë “Bindja demokratike” ka depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për regjistrimin si subjekt politik. Mësohet se sot janë depozituar në gjykatë 3 mijë firmat e nevojshme sipas ligjit.
Akti erdhi pas mbledhjes mbrëmjen e kaluar të grupit të nismëtarëve në një mjedis privat në kryeqytet. Ishte Astrit Patozi që konfirmoi për mediat lëvizjen për të cilën do komunikonin edhe me publikun.
Mësohet se forca e re politike do drejtohet nga një bord nismëtarësh dhe po përgatitet të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Mbetet për t’u parë se si do realizohet ky synim pasi dita e sotme është afati i fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ për zgjedhjet vendore.
Nismëtarët e forcës së re politike kanë qenë të rezervuar në komunikimin publik, e nuk dihet nëse ka deputetë që u janë bashkuar, por mësohet se mes nismëtarëve, përveç Astrit Patozit janë edhe emra të tjerë kritikë të PD si këshilltarët bashkiakë të Tiranës Fabian Topollaj e Leonard Olli, si dhe Ardian Kollozi.
Dy vjet më parë, ish nënkryetari i PD Astrit Patozi inicioi Lëvizjen për Ringritjen e Partisë Demokratike, ndërsa krijimi i partisë së re shënon shkëputjen nga PD./abcnews.al