Ndonëse tashmë e ka presidentin e ri, ajo çka mbetet e panjohur për Ukrainën është se ku do ta çojë vendin komiku 41-vjeçar. Përveç se pa eksperiencën e duhur për të zgjidhur çështje të nivelit të lartë, si kontesti me Rusinë për Krimenë, Volodimir Zhelenskij nuk ka asnjë influencë në Parlament për të çuar përpara reformat për çrrënjosjen e korrupsionit.
Ukraina hyri në një territor ujërash të turbullta ditën e hënë, pasi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale i dhanë fitoren komedianit pa eksperiencë politike, Volodimir Zhelenskij.
Fitorja e tij, përveç se një goditje për presidentin në ikje Petro Poroshenko, përbën një risi si në rrafshin e brendshëm të Ukrainës, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Mbrëmjen e vonë të së dielës, pasi kishte siguruar 73 për qind të votave, komiku 41-vjeçar i premtoi mbështetësve se nuk do t’i zhgënjejë, por premisat që ai t’ia dalë mbanë në misionin e tij duken pesimiste.
Zhelenskij do të marrë udhëheqjen e një vendi që është vija e frontit në përplasjen mes Perëndimit dhe Rusisë, pas aneksimit që Moska i bëri Krimesë dhe mbështetjes që ajo u ofroi separatistëve në lindje të Ukrainës.
Gjatë komunikimeve me elektoratin, Zhelenskij ka premtuar disa herë se do t’u japë fund luftimeve në rajonin lindor të Donbasit dhe se do të çrrënjosë korrupsionin gjerësisht të përhapur, në një vend ku standardet e jetesës po shkojnë drejt degradimit.
Por ai nuk ka thënë kurrë se si do t’i bëjë këto, në një kohë kur fjalën e fundit për shumë çështje në Ukrainë e thotë Parlamenti dhe partia e tij nuk ka asnjë ulëse. Në këtë aspekt, Zhelenskijt do t’i duhet të bëjë një betejë të fortë për të bindur ligjvënësit të miratojnë politikat e tij – thuhet në një analizë të agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Nga ana tjetër është edhe biznesi që kërkon garanci se presidenti i ri do të përshpejtojë reformat në mënyrë që të tërheqë investitorët e huaj dhe të mbajë vendin në programin e ndihmave të FMN-së. Pra, kalimi nga petku i aktorit në atë të presidentit nuk do të jetë aspak i lehtë për 41-vjeçarin, i mirënjohur për interpretimin e një presidenti fiktiv në një nga komeditë e tij./abcnews.al