Oficeri i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Lutfi Gjyli, mbrëmjen e djeshme duhej të ishte në shërbim e në krye të detyrës, por kishte preferuar të ulej në lokal e të konsumonte alkool.
Pa lajmëruar eprorët se nuk ishte paraqitur në repartin e FNSH-së në Vaqarr, 48 vjeçari Gjyli në gjendje të dehur plagosi me armën e shërbimit një 60 vjeçar në Kombinat.
Murteza Lika, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor ishte ulur në të njëjtën tavolinë me efektivin 48 vjeçar duke konsumuar alkool, kur u qëllua me një plumb pistolete në këmbë.
Lexo edhe: Çfarë po ndodh me policinë? Një efektiv qëllon 7 herë mbi kolegun, tjetri qytetarin.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Llazi Miho”. Pas ngjarjes, Lika u dërgua në Spitalin e Traumës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në pamundësi për të dëshmuar mbi rrethanat e ngjarjes.
Fillimisht, u dyshua se Murteza Lika mund të ishte vetëplagosur, por rezultoi se autor ishte efektivi i FNSH-së.
Lutfi Gjyli u arrestua pak minuta më pas me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.
Motivet janë ende të paqarta. Gjyli nuk ka mundur të japë dëshmi për shkak të gjendjes së alkoolizuar. Dyshohet se sherri ndodhi për motive banale.
/abcnews.al/