Sipas mediave që citojnë hetuesit në Sri Lanka, sulmet që shkaktuan të paktën 290 viktima ditën e Pashkëve, mund të ishin shmangur. Sipas tyre shërbimet e inteligjencës në vend kanë injoruar paralajmërimet për një rrezik sulmesh ndaj kishave të rëndësishme në vend.
Sulmet në kisha dhe në hotele në Sri Lanka, që shkaktuan të paktën 290 viktima dhe më shumë se 400 të plagosur në ditën e festës së Pashkëve, ndoshta mund të ishin shmangur. Policia vendore në fakt bëri të ditur se hetimet për atentatet do të analizojnë raportet sipas të cilave shërbimi i inteligjencës në vend ka gabuar. Ky i fundit nuk ka arritur të zbulojë ose të paralajmërojë për sulme kamikaze të mundshme. Vetëm dhjetë ditë më parë kishte mbërritur një alarm për rrezik atentatesh kamikaze ndaj kishave të rëndësishme në vend.
Kanë qenë dy ministrat në vend që konfirmuan se shërbimi I inteligjencës ka dështuar. Zëdhënësi i policisë deklaroi se departamenti i hetimeve kriminale po heton për shpërthimet dhe do të analizojë raportet
Vetëm një agjent vendas kishte sinjalizuar për kërcënimin e sulmeve të mundshme pasi kishte marrë një paralajmërim nga një shërbim i huaj inteligjence. Shërbimet e huaja të inteligjencës kishin sinjalizuar rreziqet lidhur me një grup radikal islamik, i njohur që një vit më parë, kur u bë përgjegjës për një seri sulmesh vandale kundër simboleve budiste. Por alarmi i dhënë nga kreu i policisë në Sri Lanka u injorua, duke bërë që terroristët të kishin gjithë kohën që u duhej për të organizuar dhe kryer sulmet në ditën e festës së Pashkëve në kisha dhe në hotele me turistë të huaj. /abcnews.al