Janë rikthyer në orët e para të së shtunës me dhjetëra gra dhe fëmijë të xhihadistëve kosovarë në Siri. Dhe pse nuk dihet nëse mes tyre ka ish-luftëtarë, mediat kosovare raportojnë se mes 150 të kthyerve, katër persona konsiderohen të rrezikshmërisë së lartë.
Me dhjetëra gra dhe fëmijë, të afërm të xhihadistëve kosovarë që luftonin në Siri, janë rikthyer në Kosovë nën masa të rrepta sigurie. Ndërkohë që mediat kosovare raportojnë se katër nga të kthyerit konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë.
Ministri kosovar i drejtësisë, Tahiri konfirmoi për mediat se operacioni për rikthimin e tyre në vend nga Siria kishte përfunduar me sukses në orët e para të së shtunës. Pas disa orësh në aeroport, dy autobusa ku ndodheshin fëmijë dhe gra, u transportuan nën shoqërimin e policisë në Baraka ushtarake në periferi të Prishtinës.
Më shumë se 300 shtetas kosovarë, burra, gra dhe fëmijë kanë udhëtuar në Siri që nga viti 2012. Rreth 70 burra kanë mbetur të vrarë duke luftuar në krah të militantëve ekstremistë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se rreth 150 gra dhe fëmijë, përfshirë dhe 60 fëmijë që kishin lindur në zonat e luftës, ishin kapur pasi i ashtuquajturi shteti islamik kishte humbur kontrollin në zonën ku ata jetonin.
Është ende e paqartë nëse janë kthyer të gjithë, ndërkohë që as ministria e drejtësisë dhe as policia e Kosovës nuk dhanë detaje nëse në mesin e të rikthyerve kishte dhe ndonjë ish-luftëtar.
Agjencitë vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, edhe më parë kanë paralajmëruar për rrezikun që vjen nga ish luftëtarët që rikthehen në vendet e lindjes. Në vitin 2015 në Kosovë, u miratua ligji sipas të cilit, ata që luftojnë në konflikte jashtë vendit mund të dënohen deri në 15 vjet burg.
Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë incident që lidhet me terrorizmin islamik në Kosovë, dhe pse më shumë se 100 burra janë burgosur apo arrestuar me akuzën se kanë luftuar në Siri dhe Irak. Disa prej tyre janë shpallur fajtor për planifikimin e sulmeve në Kosovë.
Qeveria e Kosovës më parë është shprehur se një formë e islamit radikal është importuar në Kosovë nga organizata jo qeveritare nga lindja e mesme në periudhën 1998 – 1999./abcnews.al