Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba i bëri thirrje Gjermanisë që të marrë drejtimin në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Në një video të postuar në Facebook të dielën, Kuleba tha se gjatë vizitës së tij në Berlin në fillim të javës, ai kishte “një diskutim shumë racional me gjermanët rreth bërjes së Ukrainës pjesë të BE”.
“Unë u thashë atyre se do të ndodhë gjithsesi. Është e pashmangshme që Ukraina do të marrë një status kandidat herët a vonë. Elitat gjermane kanë një zgjedhje për të udhëhequr këtë proces dhe për të gdhendur emrat e tyre në historinë e Evropës”, shtoi ai.
Ministri diskutoi gjithashtu edhe embargon ruse të naftës, të debatuar aktualisht nga vendet anëtare të BE-së, si dhe çështjen e një embargoje ruse të gazit.
Pas takimit të tij me zyrtarët gjermanë, Kuleba u angazhua edhe në bisedime me ministrat e jashtëm të G7 dhe tha se ata “e mirëpritën idenë se është e nevojshme ngrirja e aseteve ruse dhe transferimi i tyre në Ukrainë për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.
Gjithashtu, G7 tha se janë të gatshëm të marrin pjesë në rindërtimin e Ukrainës, në rindërtimin e qyteteve dhe infrastrukturës së saj.
Kuleba bëri thirrje gjithashtu për “një zgjidhje për të hequr bllokadën ruse për eksportin e produkteve agro-industriale ukrainase në botë.
“Tani për tani, agresioni rus po e çon botën drejt zisë së bukës. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të punohet edhe me vendet afrikane. Ne duam që ata të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha ai./abcnews.al/