Presidenti Donald Trump ka përdorur veton për të penguar efektet e një rezolute të miratuar nga Kongresi, që kërkonte fundin e ndikimit amerikan në luftën në Jemen.
Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur veton ndaj një rezolute të miratuar nga Kongresi, që i jep fund rolit të Shteteve të Bashkuara në luftën në Jemen.
Trump e cilësoi rezolutën e demokratëve si një përpjekje të panevojshme dhe të rrezikshme për të cënuar fuqitë e tij kushtetuese. Kjo është hera e dytë që Trump përdor veton presidenciale që nga marrja e detyrës në vitin 2017.
Qëndrimi kundër i opozitës ndaj politikës së kreut të shtetit për të mbështetur koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen u intensifikua vitin e kaluar, pasi u zbulua se agjentët sauditë kishin vrarë gazetarin Xhamal Kashogi’ në konsullatën saudite në Stamboll.
Rezoluta është miratuar si nga Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senati. Bëhet fjalë për herën e parë që të dyja dhomat mbështesin një draft që kufizon kapacitetet e presidentit për të futur trupa ushtarake në veprim.
“Kjo rezolutë është një përpjekje e panevojshme dhe e rrezikshme për të dobësuar autoritetin tim kushtetues, që vë në rrezik jetët e qytetarëve amerikanë dhe të trupave ushtarake, si sot ashtu edhe në të ardhmen”, deklaroi Trump në mesazhin e tij.
Jemeni është shkatërruar nga konflikti i armatosur që u përshkallëzua në mars të vitit 2015, kur rebelët Huthi morën nën kontroll shumicën e pjesës perëndimore të vendit dhe detyruan presidentin Mansur Hadi të arratisej./abcnews.al