Këto janë modelet e kartës me të cilën do të pajisen studentët në Tiranë. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i prezantoi bashkë me ministren e Arsimit Besa Shahini ndërkohë që dha dhe një afat kur ato mund të jenë në duar të studentëve.
“Këto janë kartat e para si model, dhe do donim shumë që në muajin Maj secili prej jush të kishte kartën e vet, pas kartës do të shikoni që ka logon e Bashkisë së Tiranës dhe të Ministrisë së Arsimit, si dy institucionet që emetojnë kartën, kurse përpara saj, ka secili emrin e vet, ka një numër rendor, dhe e gjitha është e përkthyer në një bar kod unik”, tha kryebashkiaku.
Përmes kësaj karte studentët do të përfitojnë shërbime me kosto më të ulet si nga institucionet publike dhe nga ato private.
“Për ju që në qoftë se, do të duhet të shkoni në galeri apo në kinema dhe ata të kinemasë kanë një skaner, discountin e marrin menjëherë duke i bërë skaner, bar kodit qe ka karta. Për të gjithë ju që jeni më shumë miqësor ndaj teknologjisë së informacionit, secila prej kartave tuaja do të përputhet edhe me konceptin “wallet” në celularin tuaj”, ka shtuar ai.
Karta e studentit sipas Ministres së Arsimit dhe Kryetarit të Bashkisë ishte një detyrim i universiteteve por që nuk u bë prej tyre dhe detyroi bashkinë të përmbushte këtë premtim në Paktin për Universitetin.
“Deri tani universitetet nuk kanë qenë shumë proaktivë tek pjesa e vet e punës për realizimin e kartës kështu që bashkëpunimi ndodh mes Ministrisë dhe Bashkisë dhe shpresoj që edhe Bashki të tjera ku ka universitete të ndodh e njëjta gje”, theksoi ministrja Shahini.
Karta e studentit vjen pas punimeve për ti ndryshuar pamjen konvikteve dhe punësimeve të studentëve ekselentë në administratë./abcnews.al