Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn ka folur rreth një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ishte në Washington javën e kaluar për të diskutuar për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor me homologët e tij të SHBA.
Në këtë kontekst, siç shkruan “The Washington Post”, ai ka folur edhe rreth marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe asaj që quhet sot Maqedonia Veriore, duke thënë se bashkë, SHBA dhe BE-ja u treguan të suksesshme.
Sipas tij, në luftërat e viteve 1990 dhe pasojat e tyre, në “vendin e shoferit” në rajon, ishte Washingtoni dhe jo Brukseli.
“Ndersa sote kundërta është e vërtetë. Shtetet e Bashkuara janë shumë mbështetëse për Bashkimin Evropian dhe në rajon“, tha Hahn.
Shpresa e Hahn është që zgjidhja e mosmarrëveshjes të emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës për zgjidhjen e konflikteve të tjera, duke përfshirë edhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, duke folur rreth një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht rreth mundësisë së “korrigjimit të kufijve”, Hahn theksoi se një marrëveshje ligjërisht detyruese midis dy vendeve do të mbulonte fushat përtej kufijve. Sipas komisionerit evropian:
“Një element themelor në një marrëveshje të ardhshme duhet të jetë respektimi i të drejtave të pakicave, tani për tani askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ishte një rezultat final. Një shkëmbim i mundshëm i territorit mund të jetë pjesë e saj, nëse palët dëshirojnë”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se edhe:
“Parakushti i vetëm që kemi ngritur është se çdo lloj marrëveshje dypalëshe duhet të kontribuojë për më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”, shprehet Johanes Hahn për Washington Post./abcnews.al