Manja apel SPAK-ut: Hetoni Berishën për vrasjet në “Bulevard”, “Gërdecin” dhe kompleksin “Partizani”, edhe pasurinë e djalit të tij

schedule17:37 - 9 Maj, 2022

schedule 17:37 - 9 Maj, 2022

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i ka kërkuar SPAK që të hetojë ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzën e vrasjeve në Bulevard në 111 Janar të 2021-t si dhe për shpërthimin në Gërdec në 15 Mars të vitit 2008-të.

Deklarata e ministrit Manja erdhi gjatë konferencës “Drejtësia në kohë sfidash” që po zhvillohet në Tiranë.

Në fjalën e tij Manja deklaroi se drejtësia duhet të hetojë gjithashtu edhe djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishën, për pasurinë e tij.

Ai tha se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.

E ku jemi ne sot me drejtësinë?

Do të më falni që nuk do të rreshtoj këtu arritjet. Që nuk janë te pakta po të kemi parasysh se ku ishim deri para disa vitesh. Jam i bindur që këtë do ta bëjnë të tjerë këtu. Sepse mund të flitet vërtetë shumë për risitë dhe dobitë e Reformës në Drejtësi. Mund të flitet sot për dobinë dhe potencialin e madh të institucioneve të reja të drejtësisë. Por këtu unë dua të them dy fjalë për elefantin në mes të dhomës së drejtësisë së re, si i thonë fjalës.

Ai zotëria i shpallur “non grata”, si kalorës i korrupsionit dhe kundër demokracisë nga aleati jetik i vendit dhe kombit tonë, nuk është problemi i Amerikës, por i Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të dinë si qëndron drejtësia e re në raport me këtë çështje të rëndë për shtetin shqiptar, të cilën Qeveria Amerikane e ka thënë shumë qartësisht se u takon institucioneve shqiptare ta hetojnë dhe ta gjykojnë!

Zotëria është i famshëm për karshillëkun e tij ndaj ligjit dhe organeve të drejtësisë, të cilave u ka përplasur deri edhe derën në fytyrë, duke penguar ekzekutimin e urdhërave të tyre pas vrasjes së katër qytetareve në bulevard. Nuk është thirrur megjithatë kurrë nga organet e drejtësisë, as për ato vrasje, as gjithë atë shpërthim kriminal municionesh që hodhi në erë qindra shtëpi e mori dhjetra jetë njerëzish, as për të tjera skandale korruptive marramendëse, ku mbiemri i tij ka qenë qershia mbi tortën e babëzisë!

Madje mund të them, meqë kemi dhe titullin e konferencës të tillë, ai jo vetëm nuk është pyetur kurrë nga organet e drejtësisë deri më sot, por e sfidon vetë sensin e drejtësisë, duke anatemuar deri institucionet e reja të drejtësisë.

Unë vërtetë kam një karrierë të tërë në prokurori, po këtu as nuk po bëj prokurorin, as po ngre akuza! Nuk po bëj as gjykatësin dhe as po shpall fajtorë. Por po bëj hapur, troç, me zë të lartë, atë pyetje që bëjnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh dhe sot edhe më shumë se dje, qëkur ndodhi shpallja “non grata” e Sali Berishës:

Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!

Të hetohet roli i tij në 21 janar, të hetohet roli i tij në Gërdec, të hetohet roli i tij në aferat e bujshme të Çez/Dias, apo klubit Partizani, të hetohen edhe burimet financiare të djalit të tij, që atje në Amerikë është bërë edhe personazh filmash e librash… dhe nëse në të gjitha këto punë që nuk duken hiç të bardha, zotëria del i larë, hajde t’i kërkojmë falje dhe t’i kërkojmë edhe Amerikës t’i kërkojë falje!

Po jo kështu; nisen hetime kryesisht për personazhe dytësore e tretësore dhe nuk preken me dorë kallzimet për kryepersonazhin e tragjedive e dramave më të mëdha të këtyre tridhjetë vjetëve, që vazhdon sjell vërdallë jetën publike shqiptare si ata gangsterët e Hollivudit!  

Kjo nuk i bën asnjë nder drejtësisë dhe më keq akoma, e minon besimin tek drejtësia e re!

Nëse ne do të donim që drejtësia të merrej me ata që vjedhin qindarkat e qytetarëve në urbanet e Tiranës, apo me 10 mijë-lekëshat e rryshfetit të nënpunësve në sportelet e shtetit, që sapo i mbyllëm perfundimisht, dhe jo me kokat e korrupsionit, atëherë pse duhej të bënim Reformën në Drejtësi, këtë super-ndërrmarrje ku u angazhuan me të gjitha forcat edhe aleatët tanë strategjikë?!

Kishim drejtësinë e vjetër që e qante me lot dënimin e atyre që s’kishin t’u paguanin rryshfete gjykatësve!

Nuk po kërkoj këtu asgjë më shumë se sa DREJTËSI, të barabartë për të gjithë dhe flas me kokën lart, duke ju parë drejt e në sy, sepse flas në emër të një force politike në qeveri, që ia ka hapur derën organeve të drejtësisë së re për të hetuar të madh e të vogël në oborrin e saj! Jo vetëm kaq, po flas ne emer të një force politike, që është vendosur në anën e drejtësisë, duke e udhëhequr reformën dhe duke u bërë garante e saj, me fuqinë e shembullit të saj!

Po ne nuk mund ta kemi më gojën vetëm për t’ju thënë bravo kur goditen njerëz të lidhur me forcën tonë qeverisëse, sepse u bënë afro 5 vjet që Vetingu nxjerr nga sistemi prokurorë e gjykatës të korruptuar dhe ne presim. Madje aq shumë ka nxjerrë sa kemi probleme të paparashikuara me boshllëqet në gjykata. Por për çfarë sensi drejtësie flasim kur ata që e kthyen drejtësinë në pazarin e gjësë së gjallë, që u majmën duke nxjerre kriminelë nga burgjet dhe duke gllabëruar pronat e të tjerëve, sot vazhdojnë të patrazuar jetën e tyre prej pasanikësh!  

Ku është drejtësia e re me kërkesën e shkruar edhe nga Bashkimi Europian që të korruptuarit e djegur nga Vetingu të japin llogari para drejtësisë?

E çuditshme dhe e neveritshme në fakt, që këta që nuk justifikojnë miliona euro pasuri si rrogëtarë të shtetit, janë akoma sot të padukshëm e të paprekshëm, ndërsa një qytetar i zakonshëm që shkel ligjin, hetohet me rrënjë e me degë dhe dënohet pa hezitim!

Unë nuk di ta shpjegoj këtë ngurrim zvarritës, po di që pa u dënuar ujqit e drejtësisë së vjetër, çakejtë do të vazhdojnë të bëjnë kërdinë nën hundën e drejtësisë së re! Kam dyshimet e mia që burojnë nga simbioza e hershme mes eksponentëve të caktuar të drejtësisë me politikanët e vjetër që kanë dominuar dhe dominojnë akoma shpirtrat e ndrydhur, por nuk dua ta besoj dot se frika e vjetër ka gjetur fole edhe në shpirtin e drejtësisë së re! Le të shpresojmë se është vetëm çështje kohe zgjerimi i spektrit të goditjeve të drejtësisë së re. Unë e besoj këtë.”, deklaroi Manja.

Kujtojmë që edhe kryeministri Edi Rama i kërkoi SPAK gjatë Asamblesë së PS, që të mos qëndroje vetëm në një krah, por të hetojë të gjithë ata që kanë grabitur këtë vend gjatë qeverisjeve apo pushtetit të tyre.

/Abcnews.al/