LLeshaj: Përshkallëzimi i protestës, problem i rendit kushtetues

schedule12:53 - 14 Prill, 2019

schedule 12:53 - 14 Prill, 2019

Dy lajme vendosi të japë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në daljen e tij publike një ditë pas protestës së opozitës.

“Ishte protestë e dhunshme, e rrezikshme dhe e paligjshme. Ndoshta protesta e kësaj here pati disa të reja. Pati më pak pjesëmarrës, gjë që është lajm i mirë, pasi shqiptarët për ditë e më tepër po kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë dhe pas kujt duhet të shkojnë dhe pas kujt nuk duhet të rendin”, tha ai.

Ka edhe një lajm të keq sipas numrit një të Ministrisë së Brendshme.

“Ajo Pati më tepër dhunë, ky është një lajm i keq, është një shenjë që tregon dëshpërimin e organizatorëve”, tha Lleshaj.

Protesta u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinëzare nga vendi ku ishte kërkuar tek kryeministria drejt parlamentit tha ministri Lleshaj sipas të cilit krijoi pasoja të rënda, duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën e duke sjell dëme.

“Nga ana e organizatorëve si për herë por veçanërisht kësaj radhe nuk ishin marrë asnjë masë për sigurinë e saj, nuk ishte shpenzuar asnjë burim njerëzor apo material për të garantuar që protesta të zhvillohej brenda hullisë së normalitetit dhe të ligjit. Përkundrazi u konsumuan thirrje të hapura antikushtetuese për kryengritje, për revolucion, për dhunë”, tha Lleshaj.

Dëme të mëdha u shkaktuan nga lëndë të ndaluara shpërthyese sipas ministrit Lleshaj. Përgjegjësit nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit paralajmëroi ai.

“Përshkallëzimi i protestës po e zhvendos nga një problem i rendit publik në një problem të rendit kushtetues. Çka do të thotë që organizatorët dhe pjesëmarrësit mund të përballen me akuza që kanë të bëjnë me cënimin dhe sulmin ndaj organeve kushtetues të vendit”, tha ministri i Brendshëm.

Mjetet piroteknike janë të futura në mënyrë ilegale dhe të përdorura në mënyrë ilegale kundër policisë deklaroi ministri i Brendshëm i cili nuk di të thotë se nga kanë hyrë, por garanton se  strukturat e policisë janë duke ndjekur origjinën e ardhjes së këtyre mjeteve piroteknike për të vënë para ligjit ata që i kanë përdorur ndaj policisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!