Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, organizoi “ditët e hapura” për të gjithë maturantët brenda dhe jashtë vendit, për t’u njohur më nga afër me praktikat mësimore evropiane që ky universitet ofron.
Ky event u jep mundësinë maturantëve që ta kenë më të lehtë të zgjedhin programet mësimore, të cilat u ofrojnë punësim brenda dhe jashtë vendit.
Për të gjithë maturantët të cilët po mendojnë se ku do të nisin studimet e tyre, Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, organizoi “Open Day” që t’ju bëjë zgjedhjen sa më të lehtë. Maturantët e ardhur nga zona të ndryshme të vendit, si dhe nga jashtë Shqipërisë patën mundësinë të njihen nga afër me kushtet e studimit si dhe fakultetet që Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë ofron:
“Open day që ne kemi organizuar sot në Universitetin Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, është dita ku ne informojmë gjithë maturantët dhe nxënësit e shkollave të mesme, në lidhje me fakultetet, kushtet e studimit që ne ofrojmë. Gjithashtu i ndihmojmë ata që të marrin vendimin për karrierën e tyre. Aktualisht Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë ka katër fakultete. Fakultetin e mjekësisë me degët “mjekësi” dhe “kirurgji”, “odontoatri” dhe “proteza dentare”, “infermieri” dhe “fizioterapi”, si dhe fakultetet e ekonomisë, të biznesit, të arkitekturës dhe të farmacisë. E veçanta e Universitetit tonë është se, ne ofrojmë diploma të përbashkëta ose të dyfishta me Universitetet publike italiane, që do të thotë se është një diplomë e njohur në Shqipëri, në të gjitha vendet e BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Administratorja e këtij Universiteti, Evis Karandrea.
Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, përveç diplomave evropiane dhe metodave mësimore bashkëkohore, ofron edhe bursa për studentët me mesatare 9 dhe 10.
Ky universitet ku studiojnë shumë të rinj shqiptarë dhe të huaj ofron pas diplomimit edhe mundësinë e punësimit brenda dhe jashtë vendit.
Për të gjithë maturantët Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë, nëpërmjet Administratores përcjell këtë mesazh:
“Mesazhi që do të jepja sot nxënësve është që të vijnë të studiojnë tek ne sepse me ne do të kenë një karrierë të sigurtë dhe të suksesshme”./abcnews.al