Gazetarja Erisa Zykaj duke raportuar nga Brukseli për “Log.” në Abc të gazetarit Endri Xhafo, ka folur për paketën e 6-të të sanksioneve kundër Rusisë që është diskutuar në Komisionin Europian.
Zykaj tha në “Log.” se në këtë paketë të 6 përfshihet një embargo totale e naftës për Rusinë por jo e menjëhershme, për shkak se jo të gjitha vendet e BE varen njësoj nga Rusia sa i përket furnizimit me naftë dhe nënprodukteve të saj.
Sipas gazetares Zykaj sot vendet e BE janë në unison me njëra-tjetrën, pasi edhe Gjermania dhe Austria tashmë përkrahnin embargon e plotë kundër Rusisë.
Raportimi i Zykajt në “Log.”
Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë
Embargo totale por graduale të naftës dhe derivateve të saj nga Rusia në BE. Elementi më i rëndësishëm dhe njëkohësisht më i ndjeshmi i paketës së gjashtë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për agresionit në Ukrainë është embargoja e naftës ruse. Çfarë përshihet dhe si do procedohet me embargon e naftës? Bëhet fjalë për një embargo totale ku përfshihet nafta, produktet e rafinuara që rrjedhin dhe bazohen në naftën ruse dhe që përdoren për shembull në benzinë për automjetet, si në rrugë tokësore si naftësjellës ashtu dhe rrugë detare si cisterna. Sanksionet do të ndalonin nga çdo anije të një shteti anëtar të BE-së ose në pronësi të një qytetari ose subjekti të BE-së që të transportojnë produkte ruse të papërpunuara ose të naftës. Përfshihet gjithashtu një ndalim i ofrimit të një shërbimi financiar ose shërbimi tjetër si sigurimi për një transport të tillë. BE-ja është klienti më i madh i naftës i Rusisë dhe këto dispozita do ta bëjnë shumë të vështirë për Moskën që të kalojë lehtësisht te blerësit e tjerë në Azi. Embargo e naftës është një dosje që negociohet me shumë kujdes, pasi shqyrtohen se si të zbuten efektet më të këqija anësore të një ndalimi të naftës. Së pari, këto sanksione mund të çojnë në çmime më të larta të naftës në mbarë botën, duke shkaktuar mosbindje apo protesta sociale, që cenojnë mbështetjen publike për sanksionet. Gjithashtu këto mund të kenë efektin kundërproduktiv të rritjes së të ardhurave të Moskës nga shitjet e mbetura të naftës. Embargo graduale 6 muaj për naftën puro dhe në fund të 2022 për produktet e rafinuara
Është pikërisht embargoja e naftës që ka mbajtur dhe mban ende pezull aprovimin e paketës së gjashtë të sanksioneve, pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë të njëjtën varësi nga nafta ruse dhe produktet e rafinuara. Në vitin 2019, gati dy të tretat e importeve të naftës bruto jashtë BE-së erdhën nga Rusia në nivelin 27%, sipas shifrave të Komisionit Evropian.
Duke peshuar këto varësi të ndryshme, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefi i diplomacisë i BE-së kanë propozuar përpara Parlamentit Evropian një embargo graduale për importin e naftës bruto dhe të rafinuar nga Rusia në shtete anëtare të Bashkimit Europian. Periudha tranzicionit e do të përfundojë në fund të vitit 2022. Sipas këtij propozimi, europianët do të ndërpresin gradualisht furnizimet ruse të naftës bruto brenda gjashtë muajve dhe të produkteve të rafinuara deri në fund të vitit 2022”. Sipas presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kjo periudhë tranzicioni bëhet për t’u mundësuar shteteve të gjejnë mënyra dhe burime të reja furnizimi “Ne jemi duke maksimizuar presionin ndaj Rusisë, duke minimizuar dëmin kolateral për ne dhe partnerët tanë në mbarë botën. Sepse për të ndihmuar Ukrainën, vetë ekonomia jonë duhet të mbetet e fortë. “, përmbledh ajo. Objektivi i kësaj pakete është të përmbyllet në 9 maj, një datë simbolike të fitores mbi nazizmin, që festohet në Rusi si në Ukrainë.
Një dërgim shtesë për Hungarinë dhe Sllovakinë
Kësaj i duhet shtuar një përjashtim për Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat do të kenë një vit shtesë, deri në fund të vitit 2023. Një kompromis u gjet sepse këto dy shtete janë vërtet veçanërisht të varura nga nafta e Moskës. Ato kanë vetëm mjetet tokësore për të siguruar furnizime dhe për këtë arsye nuk mund të diversifikojnë burimet e tyre.
Ndryshimi i qëndrimit nga Gjermania dhe Austria
Këto vende janë përmendura si vende shumë të shqetësuara për një embargo të tillë për shkak të varësive të tyre. Ndërkohë, të dyja vendet kanë ndryshuar kështu pozicionin e tyre. Ambasadori i Gjermanisë njoftoi të mërkurën e shkuar në Bruksel, qëndrimin e ri të Berlinit, duke thënë se ata jo vetëm që mbështet sanksionet e naftës, por mbështet në mënyrë aktive një ndërprerje të naftës dhe një ndalim të uraniumit rus.
Sanksione të tjera : Tre banka ruse dhe një bjelloruse shkëputen nga sistemi SËIFT. Gjithashtu duhet të ndalohet ofrimi i shërbimeve cloud, konsulencës financiare, kontabilitetit dhe shërbimeve të tjera financiare midis Bashkimit dhe Rusisë. Kjo pasi Kremlini mbështetet te kontabilistët, konsulentët dhe spin-doktorët nga Evropa. Gjithashtu është planifikuar ndalimi i tregtisë nga Bashkimi Evropian dhe ngrirja e aseteve për 71 kompani ruse dhe 24 kompani bjelloruse. Gjithashtu do të ketë ngrirje asetesh për një seri personash përgjegjës për shkeljet në Bucha dhe Mariupol. Komisioni dëshiron gjithashtu të ndalojë nga valët e Bashkimit tre transmetuesit kryesorë publikë rusë.
/T.H/Abcbews.al/

