Enkeljed Alibeaj kishte thirrur në mbledhje Grupin Parlamentar të PD-së pasditen e sotme. Pas 2 orësh diskutime, Alibeaj u shpreh se deputetët janë në të njëjtin mendim për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Deputeti Belind Këlliçi, njëherësh anëtar i Komisionit të Rithemelimit, i ka quajtur deklaratat e Alibeajt si destruktive. I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, Këlliçi e quan Alibeajn “ministër të Ramës.”
Këlliçi: Keqardhje për ministrin e Edi Ramës për marrëdhëniet me PD, Enkelejd Alibeaj, në raport me qasjen e tij politike dhe destruktive brenda PD. Që të dalë Alibeaj dhe te thotë se i dhimbset PD, që nga mëngjesi në darkë vijon të përçajë PD, është i gatshëm të ulet me Ramën dhe nuk gjen kohë të diskutojë çështje që ne kemi muaj që i adresojmë. Alibeaj ka qenë i ftuar në Kuvend, është i ftuar nesër në Këshillin Kombëtar.
Xhokaxhi: Nuk e njoh tha Këshillin Kombëtar.
Këlliçi: S’ka problem se Alibeajn nuk e njohin demokratët. Pasi dëgjoj atë retorike në një mbledhje të dështuar ku kanë qenë 22 deputetë në një grup ku janë 52 deputetë, duhet të shqetësohet, sepse baza është e bashkuar tani, por ka një ngërç në Grupin Parlamentar. Më gjeni një moment kur keni parë një akuzë nga ana jonë. Arsyeja pse jam i revoltuar është që Alibeaj tha se Grupi Parlamentar përbëhet nga 36 deputetë, përjashtoi 16 deputetë. Kush është ky? Ka marrë gjysmën e votave që kam unë në Tiranë. Çdo ditë shpiket një kuorum i ri dhe refuzohet të pranohet realiteti. Ky debat i sotëm kujt i shërben nëse nuk i shërben Edi Ramës?
Xhokaxhi: Është një pjesë e konsiderueshme e grupit parlamentar që është në pritje. Është në pritje nga do anojë peshorja. Çfarë do bëni ju me këta?
Këlliçi: Cila peshore? Më çdo deputet kemi kontaktuar, i kemi ftuar të bëhen pjesë e mbledhjeve. Me këtë retorike që ka Alibeaj çdo ditë e më shumë po dëmtojnë interesin opozitar në vend, po dëmtojnë PD dhe çdo karrierë të deputetëve që kanë dalë nga votat e demokratëve. Pse na kanë mandatuar demokratët për të qenë në shërbim të Edi Ramës?
Lexo edhe: Përfundon mbledhja, Alibeaj: Deputetëve iu kërkova kriteret e Presidentit, të hënën mbledhja tjetër
Xhokaxhi: Ju keni të drejtë të depozitoni diçka në kuvend që Alibeaj mos njihet si kryetar?
Këlliçi: Për momentin kemi vakancë, për shkak se është shkarkuar Alibeaj i referohemi rregullores së Grupit Parlamentar. Në atë rregullore shkruhet që drejtohet nga dy nënkryetarët, Luçiano Boçi dhe Ervin Salianji. Aty janë.
Xhokaxhi: Pse mblidhet Këshilli?
Këlliçi: mblidhet me dy qëllime. E para të konstituohet dhe në pikën e dytë pyeten forumet dhe organet, do të miratohet një rezolutë ku do miratohet qëndrimi për Presidentin.
Xhokaxhi: Berisha ka deklaruar jo sepse është një procedurë fasadë.
Këlliçi: Berisha ka qëndrimin e tij. Janë gjithë deputetët që janë pjesë e Rithemelimit që kanë deklaruar se janë kundër këtij procesi farsë, futjes së emrit të presidentit në zarf. PD e mori vendimin e saj, e mbajti Kuvendin. Shumica udhëheq, pakica respekton vendimet e shumicës. PD nuk do të ndahet, do të jetë partia e demokratëve, e bazës, e Kuvendit të dhjetorit 2021. PD është e demokratëve, e atyre që i kanë votëbesuar. I bëj thirrje Alibeajt dhe kujtdo që nuk beson këto që them të zbresë në bazë dhe të takojë qytetarët. Të pyesin si është gjendja dhe çfarë perceptimi ka publiku për këtë zgjedhje të tyre. Mos marrin vendim në dëm të demokratëve. Shumica dihet ku është, lërini demokratët të marrin vendimet e tyre. Kemi 8 muaj që shpikim kuorume dhe Edi Rama bën qejf.
Xhokaxhi: Çfarë mund të bëhet për bashkimin e demokratëve?
Këlliçi: Nuk ka pasur një mbledhje të Grupit Parlamentar që deputetët që ulen dhe të flasin pa doreza me njëri-tjetrin se nuk i lejon Alibeaj. Alibeajt i intereson ta mbajë të përçarë PD. Se ku e ka misionin dhe qëllimin ky njeri që kam pasur një respekt shumë të madh unë nuk e di. Nuk ka rëndësi kujt po i shërben Alibeaj në opozitë, po i shërbehet Ramës. Të dëmtosh opozitën për interesat e Ramës kjo është e pafalshme.
Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, e cila zgjati rreth 2 orë, morën pjesë 21 deputetë të PD. /abcnews.al/