Forcat speciale të ushtrisë dhe Policia Ushtarake do të garantojnë sigurinë në perimetrin e jashtëm të aeroportit. Dislokimin e tyre aty e njoftoi ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Ndërsa komisariati i policisë së Rinasit do të marrë në kontroll sigurinë e brendshme në aeroport.
Grabitja në të vetmin aeroport ndërkombëtar të Shqipërisë nuk mfafton të përfundojë duke drejtuar gishtin ndaj fajtorit. Koncesionari dështoi ndaj është koha që shtetit shiptar të marrë në dorë sigurinë e e qytetarëve. Vendimi u bë publik nga Ministrja e Mbrojtjes.
“Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit. Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, tha Xhaçka.
Sipas ministres, Olta Xhaçka, kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke iu bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit”, tha ajo.
Një tjetër ndërhyrje ka paralajmëruar Policia e Shtetit.
“Grupi hetimor është duke punuar intensivisht. Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur ta zbardhë këtë ngjarje. Jemi në rritje të parametrave të sigurisë. Në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas. Nisur nga kjo, me urdhër të kryeministrit, shefi i komisariatit të policisë së Rinasit merr përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë në aeroport për të mundur kthimin e sigurisë në aeroport. Ne do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Ardi Veliu.
Zv/ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli, u shpreh se janë dhënë rekomandime për të rritur nivelin e sigurisë në aeroport, por deri më tani koncesionari nuk ka reflektuar.
“Ne patëm një bisedë me përfaqësuesin e TIA-së që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave për rritjen e sigurisë. Kemi dhënë rekomandime për ndryshime në kontratat që janë bërë në pranverë të 2013, do të ndryshojnë. Do të jetë policia e Shtetit e cila që do të marrë përgjegjësinë, duke ndryshuar praktikën e deri më tanishme. Kemi menduar se koncesionari do të reflektonte”, tha ai.
Për zyrtarët e qeverisë ka ndodhur e keqja më e vogël, humbje financiare. Dhe për këtë zëvendësministri nënvizon që të mos harrohet që falenderimet i shkojnë uniformave blu./abcnews.al