Ana është 5 vjeçe. Jeton vetëm me nënën e të vëllanë, Ajlin 2 vjeçar. Familja Farruku nga Burreli jeton në kushte jashtëzakonisht të vështira, por Ana nuk flet shumë për to… asaj i mungon i ati.
Babai i Anës ndërroi jetë si pasojë e një infarkti, teksa kishte shkuar në kurbet për të siguruar të ardhura për vajzën e djalin. Sytë e këtij ëngjëlli mbushen në lot, kur ajo thotë se babi shkoi në Gjermani… por më pas iku në parajsë.
“Babi iku në Gjermani, por pastaj iku në parajsë. Babi është gjithçka për mua, unë kam dëshirë që ai të më dojë fort. Më mungon shumë babi, qaj unë çdo ditë për babin.”-tregon 5 vjeçarja.
Së bashku me mami Almirën e të vëllanë, Ana jeton në një magazinë shtetërore, e cila është thjesht e improvizuar si shtëpi. Kushtet aty janë tepër të vështira, aqsa kjo 5 vjeçare rrëfen se ka ftohtë natën.
“Këtu është ftohtë, por ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne nuk kemi as batanije… Mami qan se ne nuk kemi edhe bukë, lekë nuk kemi ne, as çfarë të hamë.”-rrëfen 5 vjeçarja.
Kur e pyesim Anën se çfarë dëshirash ka, ajo me naivitetin e një fëmije buzëqesh e na tregon se ka shumë dëshirë të ketë kukulla, lodra e fustane.
“Unë dua kuklla edhe makina edhe fustane. Dua edhe një krevat këtu sipër, me shkallë dhe një krevat këtu poshtë.”-tregon ajo.
Almira na tregon se jetesa është shumë e vështirë.
“Është shumë e vështirë, kushtet zero. Këtu vendi është mbushur me lagështirë, i bën dhe fëmijër me azëm. Nuk kam mundësi. Vjehrri e vjehrra kanë ndërruar jetë, im shoq vdiq, e unë nuk kam mbështetje. Prindërit e mi jetojnë në fshat dhe mezi përballojnë jetesën e tyre. Njeri tjetër nuk kam, nuk ka kush t’më ndihmojë.
Gjithë ditën rri duke qarë, sesi do ta përballoj rritjen e dy fëmijëve, pa kushte jemi… me 35 mijë lekë përkrahje që marr unë nuk më dalin as për të ushqyer fëmijët. Qaj kur i shoh fëmijët e mi, kur nuk kanë bukë për të ngrënë. Gjithë ditën, mërzitem, stresohem, se kam mbetur dhe në mes të katër rrugëve. Këto këtu (ku jeton) janë magazina shteti dhe nga momenti në moment mund të dalim. Ku të rri në mes të dimrit me fëmijët e vegjël. Mundësi për shtëpi me qira unë nuk kam, vetëm të dal në rrugë. (qan)
Motivi jetës sime janë këta dy ëngjëjt e mi, veç për ta jetoj, që të ecin ata përpara në jetë, të kenë një shtëpi, të shkollohen.-tregoi Almira. /abcnews.al/