“Është e rëndë përtej imagjinatës”!
Të tillë e ka konsideruar Shoqata e Bankave grabitjen e parave që ndodhi të martën në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.
Ajo që shqetëson më tepër se vjedhja tha Sekretari i Përgjithshëm, Spiro Brumbulli, është cënimi për të dytën herë i një ndër zonave të sigurta në vend.
“Vjedhja ka ndodhur në zonën që konsiderohet model i sigurisë dhe jo për të parën herë, është për të dytën herë. Kjo përbën një risi tjetër që e vendos këtë territor realisht në pikëpyetje për sigurinë jo vetëm në transportin e vlerave monetare, por edhe për transportin e pasagjerëve”.
Shoqata e Bankave ngarkon me përgjegjësi kryesore aeroportin. Ndërkohë ngjarja vjen sipas saj vjen dhe si pasojë e dështimit të institucioneve shtetërore.
“Krimi është shumë më i sofistikuar dhe përpara se sistemeve të sigurisë që vendet tona aplikojnë. Moszbardhja e ngjarjeve të mëparshme frymëzon ngjarjen e radhës. Shpresojmë që kësaj radhe të jetë një tërmet që institucionet të bëjnë detyrën dhe të kapin autorët”.
Veç panikut, dëmit direkt financiar apo cënimit të imazhit të vendit, ngjarja e 9 Prillit mund të sjellë rritje të kostove financiare për sistemin bankar e rrjedhimisht për qytetarët.
Kompania austriake “Austrian Airlines”, avioni i të cilës ra pre e grabitësve përmes zëdhënëses Tanja Gruber ka deklaruar se nuk do të ketë më transferta cash nga Tirana në Vjenë.
Ndërkohë Brumbulli sqaroi se kjo ishte e vetmja kompani që kryente transportin e vlerave monetare jashtë vendit. Tashmë bankat duhet të gjejnë zgjidhje të tjera. Ndërkohë që për shkak të vjedhjeve të herëpashershme të bankave, shoqëritë ndërkombëtare të sigurimeve kanë rritur çmimin e siguracioneve për bankat shqiptare.
Të gjitha këto kosto transmetohen tek qytetarët përmes komisioneve dhe interesave më të larta të kredive./abcnews.al