Teherani zyrtar shpall ushtrinë amerikane si organizatë terroriste. Ky vendim erdhi si reagim pasi SHBA përfshinë Gardën Revolucionare iraniane në listën e zezë të organizatave terroriste.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur trupat elitë të Gardës Revolucionare Iraniane një organizatë terroriste. Është hera e parë që Shtetet e Bashkuara etiketojnë ushtrinë e një vendi tjetër si një grup të tillë. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Garda Revolucionare është mjeti kryesor i Republikës Islamike për të implementuar fushatën e saj globale të terrorizmit. Duke reaguar, ministri i Jashtëm iranian Mohamad Xhavad Zarif i ka propozuar Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Teheran që të fusë trupat amerikane që veprojnë në Lindjen e Mesme dhe Azi në listën e tij të organizatave terroriste.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë ngritur që kur Trump tërhoqi Amerikën nga pakti bërthamor ndërkombëtar. Mediat e huaja raportojnë se, pjesëtarë të shumtë të gardës iraniane janë anëtarësuar në grupe e organizata që më parë kanë qenë subjekt sanksionesh nga Uashingtoni për shkak të programit bërthamor, mbështetjes së terrorizmit dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut.
Në fjalimin e tij të së hënës, presidenti Trump u shpreh: “Ky hap i paprecedent i ndërmarrë nga Departamenti i Shtetit njeh realitetin se Irani nuk është vetëm një shtet që sponsorizon terrorizmin, por se Garda Revolucionalire ka qenë një njësi aktive në financimin dhe promovimin e terrorit, si një vegël e agjendës shtetërore”, deklaroi Trump./abcnews.al