Hepatiti akut te fëmijët në Shqipëri? Bino: Nuk kemi ende raste, po ndjekim situatën

schedule11:10 - 26 Prill, 2022

schedule 11:10 - 26 Prill, 2022

Hepatiti akut te fëmijët është kthyer në një shqetësim për mjekët në të gjithë botën. E pyetur në lidhje me prezencën ose jo të këtij virusi në Shqipëri, Silva Bino tha se deri më tani nuk ka raste të zbuluara në vend.

“Për sa i përket hepatitit kemi marrë njoftime të reja nga OBSH. Ne nuk kemi të dhëna ende në vendin tonë. Rastet më të shumta janë në SHBA për momentin. Është një situatë që po monitorohet në botë. Ne kemi ngritur alertin dhe po e monitorojmë situatën. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë shqetësuese në vend për këtë virus. Për etiologjinë e tij ka disa dyshime mund të jetë një infeksion bashkëshoqërues si  adenovirusit  41 dhe koronavirusit. Megjithatë këto janë vetëm hipoteza. Është një situatë që monitorohet në botë. Ne kemi ngritur vëmendjen “, tha Bino.

Simptomat e hepatitit sipas ekspertëve të Komitetit Teknik janë diareja, të vjellat, lodhje dhe zverdhje e lëkurës.

“Janë kryesisht shenja në traktin tretës. Çrregullime të traktit tretës, siç janë të vjellat dhe dieareja. Anorkesi, këputje dhe zverdhje e lëkurës. Por mendoj që në fillimet kur ka shenja të turbullimit të traktit tretës të cilat shoqërohen me humbje të lëngjeve dhe shenja dehidtratimi duhet të shkojnë te mjeku i familjes, dhe pastaj sipas referimit edhe në qendra më të specializuara.
Gjatë kësaj periudhe kemi vënë re çrregullime të metabolizmit të mëlçisë në kuadër të covidit. Për fat të mirë të gjitha rastet janë shëruar. Jemi vigjilentë.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se janë identifikuar 169 raste me hepatit akut te fëmijët e moshës nga 1 muajsh deri në 16 vjeç. Hepatiti akut, tashmë ka prekur 11 shtete në të gjithë botën.

Sipas OBSH-së, një fëmijë i prekur nga kjo sëmundje humbi jetën, ndërsa 17 të tjerë kanë kërkuar transplantin e mëlçisë.

Shumica e rasteve janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar, 114. Sipas OBSH-së, ka pasur 13 raste në Spanjë, 12 në Izrael, nëntë në Shtetet e Bashkuara dhe një numër më i vogël rastesh të konfirmuara në Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë. Hepatiti është inflamacion i mëlçisë, një organ jetik që përpunon lëndët ushqyese, filtron gjakun dhe ndihmon në luftimin e infeksioneve
/abcnews.al/