Hondurasi ekstradoi ish-presidentin Juan Orlando Hernández në Shtetet e Bashkuara të enjten për t’u përballur me akuzat për trafik droge dhe armësh, në një rënie dramatike për një udhëheqës që dikur ishte konsideruar nga autoritetet amerikane si një aleat kyç në luftën kundër drogës.
Vetëm tre muaj pas largimit nga detyra, Hernández nën pranga, hipi në një aeroplan me agjentë të Agjencisë amerikane për Kontrollin e Drogës, me destinacion Shtetet e Bashkuara, ku ai përballet me akuza në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan Merrick Garland tha se Hernandez “abuzoi me pozitën e tij si President i Hondurasit nga viti 2014 deri në 2022 duke e menaxhuar vendin si një narko-shtet.”
Në dokumentet e gjykatës, prokurorët amerikanë pretendojnë se Hernandez ishte përfshirë në një “komplot korrupsioni dhe të dhunshëm të trafikut të drogës” që transportoi më shumë se 550 ton kokainë në Shtetet e Bashkuara. Ai akuzohet për pjesëmarrje në një komplot të trafikut të drogës, pronësi armësh zjarri dhe pajisjesh shkatërruese, si edhe komplot për të siguruar armë zjarri dhe pajisje shkatërruese.
Prokurorët e akuzojnë ish-presidentin Hernandez se ka marrë miliona dollarë nga kartelet e drogës, përfshirë nga bosi famëkeq meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman. Ata pretendojnë se ai i përdori paratë për të financuar fushatat e tij politike dhe u angazhua në mashtrimin e votuesve në zgjedhjet presidenciale të Hondurasit të viteve 2013 dhe 2017.
“Në këmbim, trafikantët e drogës në Honduras u lejuan të vepronin praktikisht pa u ndëshkuar,” tha zoti Garland. “Ne e akuzojmë Hernándezin se ka korruptuar institucionet publike legjitime në vend – përfshirë pjesë të policisë kombëtare, ushtrisë dhe Kongresit të vendit.”
Hernández u arrestua në shtëpinë e tij në Tegucigalpa në shkurt me kërkesë të autoriteteve amerikane. Ai u shoqërua nën pranga para gazetarëve, një pamje që shumë qytetarë të Hondurasit nuk e kishin imagjinuar kurrë.
Gjykata e Lartë e Hondurasit hodhi poshtë ankesën e tij ndaj vendimit të një gjyqtari në favor të ekstradimit.
“Trafikimi i drogës nxit krimin e dhunshëm dhe varësinë prej saj; ai shkatërron familjet dhe shkatërron komunitetet,” tha zoti Garland.
“Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar të shkatërrojë të gjithë ekosistemin e rrjeteve të trafikut të drogës që dëmtojnë popullin amerikan, pavarësisht se sa larg apo sa lart duhet të shkojmë.”
Hernández ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo keqbërje. Në një video-mesazh të publikuar të enjten, ai tha: “Unë jam i pafajshëm; kam qenë dhe jam duke iu nënshtruar padrejtësisht ndjekjes penale.”
Ai ka thënë se është viktimë e trafikantëve të drogës që ai ka ekstraduar, të cilët sipas tij tani po gënjejnë për t’u hakmarrë.
Prokurorët amerikanë kanë punuar për vite me radhë duke plotësuar dosjet për çështje që nga trafikantët e nivelit të ulët të drogës dhe politikanët lokalë, tek bosët e krimit të organizuar që përdorën lidhjet e tyre politike dhe lidhjet me kartelet e trafikut të drogës në Kolumbi dhe Meksikë për të transferuar tonelata kokainë në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre dëshmuan për pagesat që i ishin dhënë Hernándezit ose njërit prej vëllezërve të tij, gjithashtu politikan./VOA