Nga Walter Russell Mead “Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Ndërsa Rusia dhe Ukraina po përgatiten për atë që mund të jetë beteja më e madhe e tankeve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ardhmja e luftës së nisur nga Vladimir Putin mbetet e pamundur të parashikohet.
Mobilizimi i tankeve dhe artilerisë në shkallë të gjerë në terrenin e sheshtë të hapur të Ukrainës Lindore mund ta favorizojë Moskën, dhe pesha e madhe e makinerisë ushtarake ruse, mund t’i sjellë përfitime territoriale.
Por janë të mundshme edhe rezultate të tjera. Guximi i ukrainasve, aftësia e tyre e madhe taktike në terren, dhe qasja tek armët dhe pajisjet perëndimore mund të prodhojnë një varg tjetër pengesash poshtëruese për Rusinë.
Skenari më i keq për Putinin, do të ishte që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundonte me një disfatë ushtarake gjithëpërfshirëse, me rënien e enklavave pro-ruse në Donbas dhe Moldavi, si dhe me integrimin e Ukrainës në Perëndim.
Një humbje e tillë do të ishte më shumë sesa një poshtërim personal, për karrierën e tij si politikan. Ajo do t’i shkaktonte gjithashtu një tronditje të madhe psikologjike dhe strategjike për pozitën dhe vetë-imazhin e Rusisë. Do të ndryshonte rrjedhën e historisë ruse.
Rusia nuk do të ishte ish-perandoria e parë që do të përballej me një moment të llogaridhënies para historisë. Humbja e Spanjës në vitin 1898 përballë shteti të ri të SHBA-së, ishte një moment vendimtar në historinë spanjolle. Perandoria globale që kishte formësuar Spanjën që nga ekspeditat e Kolombit ishte zhdukur papritur, dhe spanjollët filluan të vënë në dyshim gjithçka, nga monarkia deri tek roli i kishës.
Për Britaninë dhe Francën, dështimi i tyre poshtërues gjatë Krizës së Suezit të vitit 1956, i detyroi të dyja vendet ta kuptonin se nuk ishin më fuqi globale të pavarura. Lavditë e perandorive të dikurshme kishin marrë fund, dhe 2 ish-superfuqitë filluan me dhimbje dhe pa dëshirë t’i përshtateshin rrethanave të tyre të reja.
Një dështim vendimtar rus në Ukrainë, mund të sjellë të njëjtën situatë për Moskën. Në rast se Rusia nuk do të arrijë që të pushtojë zemrën e Ukrainës (Ukraina Perëndimore është më pak problem në mitologjinë historike ruse), rusët nuk do të jenë në gjendje të shmangin përfundimin se perandoria e carëve, e ndërtuar me shumë kosto gjatë shumë shekujve, dhe e rivendosur nga Lenini dhe Stalini pas fatkeqësisë së Luftës së Parë Botërore, ka rënë në mënyrë të pakthyeshme.
Kjo do ta detyrojë Rusinë t’i nënshtrohet një lloj auto-reflektimit të thellë, ashtu si ish-perandoritë e tjera. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nën sundimin e Romanovëve, komunistëve, dhe tani të Putinit, mendimi politik rus është formësuar nga tre besime: që Rusia është e ndryshme, që ndryshimi është transhendentalisht i rëndësishëm, dhe se ai i jep Rusisë një rol unik në historinë botërore.
Humbja në Ukrainë do ta minonte në themele besimin tek këto ide, duke e zhytur Rusinë në një krizë identiteti me pasoja politike të paparashikueshme. Carët, komisarët komunistët, dhe sot Putinistët, e panë Rusinë si unike dhe të përkushtuar ndaj një lufte kundër Perëndimit.
Për carët, Moska ishte “Roma e tretë”, që do të mbante pishtarin e Krishterimit dhe qytetërimit, pasi Roma e parë ra në duart e pushtuesve barbarë, dhe Roma e dytë (Kostandinopoja) ra në duart e turqve.
Për komunistët, Moska ishte kështjella e revolucionit global proletar, e destinuar të asgjësonte kulturën dekadente borgjeze të Perëndimit. Putin dhe bashkëpunëtorët e tij e shohin njëlloj. Sipas tyre Rusia është angazhuar në një luftë për mbijetese kundër dekadencës perëndimore, ligësisë dhe lakmisë së shfrenuar.
Për të mbajtur veten në garën e barabartë me Perëndimin më të zhvilluar, dhe për të siguruar qeverisje të përshtatshme për psikikën e saj unike, Rusia, kanë argumentuar gjithmonë sundimtarët e saj, duhej ta përqendronte pushtetin në krye.
Vetëm një udhëheqës aq i fortë sa Katerina e Madhe, Stalini, apo siç thonë admiruesit e tij si Putin, mund t’i japë mundësi Rusisë të dominojë në përballjen e saj saj me Perëndimin. Thelbi i çështjes është Ukraina. Me Ukrainën nën kontroll, Moska e sheh veten si fuqia më e madhe në Evropë.
Pa Ukrainën, ëndrra që Rusia të mundet të rifitojë statusin e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi do të pësojë një fund të hidhur. Më keq akoma: ndoshta nga këndvështrimi i teoricienëve “euroaziatikë” dhe nacionalistëve radikalë rusë, të cilët i japin një lloj mbulese legjitimiteti regjimit të Putinit, një fitore e Ukrainës ortodokse, sllave dhe demokratike mbi Rusinë despotike, nuk do të sfidonte vetëm legjitimitetin personal të Vladimir Putin.
Përkundrazi, ajo do të sfidonte idenë e veçantisë ruse, dhe do të minonte fatalisht pikëpamjen se despotizmi është forma e qeverisjes që i përshtatet më së miri shpirtit rus. Ndërsa lufta po nxjerr në pah ligësinë dhe mizorinë e natyrshme të regjimit të Putin, dhe ndërsa mizoritë jashtë vendit dhe represioni brenda Rusisë po lënë gjithnjë e më tepër gjurmë, është e pamundur të mos shpresojmë një disfatë ruse në këtë luftë.
Gjithsesi duhet pasur kujdes. Putin dhe ata përreth tij e dinë se në Ukrainë nuk po luftojnë vetëm për një rregullim të kufijve. Ata po luftojnë për botën e tyre, ndaj për ta mund të jetë psikologjikisht e pamundur ta pranojnë humbjen, derisa çdo masë, sado e pamëshirshme, apo çdo armë, sado e urryer, të jetë përdorur në maksimum. Për Vladimir Putinin dhe njerëzit përreth tij, rreziqet në Ukrainë janë pafundësisht të mëdha. /abcnews.al