Shërbimi në administratën publike është përmirësuar. Janë këto përfundimet e një anketimi të kryer nga qeveria që u bë publik nga kryeministri Edi Rama në takimin me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes.
Dhënia fund e sorollatjes është qëllimi i takimit të përjavshëm të kryeministrit Edi Rama. Si një shtet brenda shtetit është shndërruar platforma e bashkëqeverisjes që ndreq gabimet e administratës.
Disa kanë pak muaj që ankohen se nuk marrin pensionin që u takon apo nuk saktësojnë mbiemrin që kanë. Të tjerë sjellin shembuj se prej më shumë se 10 vjetësh nuk marrin dot certifikatën e pronës apo dokumente të tjerë. Kur arrijnë në pikën e fundit të problemit të pazgjidhur kryeministri Rama sugjeron t’i drejtohen adresës shqiperiaqeduam.al.
“Në momentin që afati i marrjes së përgjigjes skadon dhe ju nuk e keni marrë përgjigjen, mos prisni, mos u sorollatni, mos kërkoni rrugë të tjera, mos lejoni t’ju shikojnë nga xhepi, mos kërkoni deputetin, kushëririn, krushkun e me radhë. Thjeshtë një klik shqiperiaqeduam.al dhe menjëherë keni qeverinë në krahun tuaj”, tha Rama.
Pranon që ka ende probleme me institucionet shtetërore. Burokracitë nuk janë shmangur ende nga zyrat e institutit të sigurimeve shoqërore, zyrat e gjendjes civile, por dhe shumë hallkave të tjera, megjithatë krahasuar me një vit më parë është më optimist.
“Kemi bërë një anketim ditët e fundit kombëtar lidhur me perceptimin e publikut për shërbimet. Dhe me kënaqësi kemi konstatuar se ka një përmirësim në këtë perceptim”, tha kryeministri.
E siç ndodh rëndom në një ditë të tillë, falenderimet janë pa kursim.
Qytetari: Me thënë të drejtën zoti Kryeministër kështu nga larg ju jeni shumë i ashpër, por gjysmën e emocionit ma keni hequr se dukeni tamam pa komplimenta si një shok i vjetër.
Edi Rama: Më vjen keq që dukem nga larg shumë i ashpër, por edhe kaq i butë sa t’u duka ty nuk jam.
Qytetarja: Dua të falënderoj drejtoreshën zonjën Eridana Çano. Nga ju në kaq pak kohë kam mësuar shumë dhe jam e sigurt se do mësoj dhe shumë më shumë.
Edi Rama: Me falenderimin që bëre tani të rregullojnë shtrigat e tjera. Në fakt shaka është, por gjysma e së vërtetës./abcnews.al