Në 23 vjetorin e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.
Osmani gjatë këtyre homazheve ka thënë se kjo masakër që është kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar.
Ajo ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
“Në këtë ditë të trishtë për gjithë Kosovën po përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullatës civile. Në këtë varrezë që e shihni prehen 54 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Kjo masakër e kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar. Secili prej nesh duhet që të vërtetën e Poklekut ta themi kudo, jo vetëm në Kosovë por në çdo vend të botës, në mënyrë që bota të dëgjojë dhe ta shoh dëshminë që kishte regjimi i Millosheviqit për të zhdukur shqiptarët nga Kosova. Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm, ndërsa ne kurrë nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, ka theksuar se kjo masakër është një nga më barbaret që ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës.
Sipas tij, edhe pas 23 vjetësh që kur ka ndodhur kjo masakër, drejtësia nuk është vënë në vend, ndërsa kriminelët enden të lirë nëpër Serbi.
“Kjo është njëra prej masakrave më barbare që ka bërë Serbia në Kosovë mbi popullin tonë të pambrojtur. Mos të harrojmë se shumica prej të masakruarve janë fëmijë dhe gra që tregon se është njëra prej dëshmive më të qarta të gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin tonë. Për këtë masakër nuk ka pasur drejtësi, asnjë gjykim serioz nuk ka ndodhur deri tash për këta fëmijë e këto gra e burra që u masakruan nga paramilitarët e Serbisë. Përgjegjësia është shumë e qartë, por kriminelët enden të lirë”, ka thënë ai.
Të dielën bëhen 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçarë./Express