Gjatë protestës se sotme të opozitës përpara Kuvendit, pati disa herë përplasje dhe tension mes protestuesve dhe uniformave blu. Por në dallim nga tubimet e mëparshme, nuk munguan as konfliktet brenda turmës së protestuesve.
Ashtu si edhe në protestat e kaluara të organizuara nga opozita para Parlamentit, edhe këtë të mërkurë pati përplasje ndërmjet protestuesve dhe punonjësve të policisë. Drejt uniformave blu u hodhën kapsolla dhe lëndë piroteknike.
Por këta të fundit nuk iu përgjigjën protestuesve me gaz lotsjellës apo me bomba tymues. Pati disa herë edhe tentativa për të çarë kordonin e policisë, por pa sukses. Ndërkohë në gatishmëri në rreshtin e 3 ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, bashkë me ato të RENEA-s.
E veçanta e kësaj proteste ishte se për herë të parë pati edhe përplasje fizike brenda turmës së protestuesve. Rasti i parë ndodhi gjatë tubimit para Kuvendit. Sipas organizatorëve, kjo gjë ndodhi për shkak se protestuesit u provokuan nga persona të paguar.
Akoma më e rëndë situata u paraqit edhe gjatë grumbullimit para Piramidës.
Një person goditi me grushte një tjetër protestues dhe pretendimi ishte i njëjtë; i paguar për të irrituar manifestuesit e opozitës. Madje kishte edhe akuza nga organizatorët e protestës se, i dhunuari është pjesë i strukturave politike të partisë socialiste.
Pas mbarimit të protestës para Kryeministrisë, manifestuesit u shpërndanë paqësisht, duke iu drejtuar selisë së Partisë Demokratike./abcnews.al