Komisioni i Rithemelimit i përgjigjet kryetarit të komanduar të PD Enkelejd Alibeaj pasi ky i fundit teksa prezantoi platformën e bashkimit tha se zgjedhjet në bazë janë “përçarëse dhe të njëanshme, ndërsa theksoi se nuk ka përfshirje të të gjithë demokratëve”.
Përmes një deklarate nga selia blu deputeti Flamur Noka tha se procesi i zgjedhjeve që ka nisur që pas Kuvendit të 11 dhjetorit nuk do të ndërpritet.
Shumca e deputetëve demokratë nuk e mbështesin përjashtimin e ish-kryeministri Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat dhe as mundësinë që ai të mos rikandidojë. Enkelejd Alibeaj bëri publike plaformën, e firmosur nga 31 deputetë, mes të cilëve dhe Lulzim Basha, për bashkimin e demokratëve. A
“Theksoj se askush nuk do të mundet të organizojë procese ku 1958 karrige të lexohen si 5004 delegatë. Askush s’do mundet të manipulojë vullnetin e deputetëve dhe të grupit të PD. Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të edhe koha kur vullneti i shumicës injorohej. PD mbetet e hapur për të diskutuar me çdo deputet dhe demokrat. Jemi të gatshëm që me grupi auditi të verifikohet çdo procedurë zgjedhore të kuvendit. Por në asnjë rast dhe rrethanë procesi i nisur prej muajsh nga kuvendi nuk do të ndalojë. Mirëpresim të gjitha ata që do të bëhen pjesë e këtij procesi por s’do lënë askënd ta pengojë. Kush do të lidhë fatin e tij me veglat e Ramës le ta bëjë por koha e marrjes së PD ka marrë fund”, tha Noka.
Deklarata e Nokës:
Grupi parlamentar është një organ shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike. Partia Demokratike është e vendosur të respektojë dhe të garantojë të drejtat statutore të cdo organi, por mbi të gjitha është vullneti i anëtarësisë së Partisë që vendos qëndrimin politik të saj. Me këtë rast, theksoj, se askush nuk do mundet më të organizojë procese ku 1958 karrige të lexohen si 5004 delegatë. Askush nuk do mundet më, të zëvendësojë votën e lirë me blinda apo gaz lotsjellës. Askush nuk mundet më të manipulojë me firma fiktive vullnetin e deputetëve dhe grupit parlamentar të PD.
Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të dhe koha kur vullneti i shumicës injorohej. PD ka qenë dhe mbetet e hapur për të diskutuar në frymë konstruktive me çdo deputet dhe demokrat për problematikat specifike që mund të kenë konstatuar në zonat e tyre. Për këtë arsye, jemi të gatshëm që me grupe auditi të verifikohet çdo procedurë zgjedhore, nëse është zhvilluar konform statutit të PD miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetor 2021 dhe udhëzimeve përkatëse.
Por në asnjë rast, dhe në asnjë rrethanë, procesi I nisur prej muajsh nga Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe i rikonfimuar bindshëm nga vota e demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit, nuk do të ndalojë! Mirëpresim të gjithë ata që janë bërë apo kërkojnë të bëhen pjesë e këtij procesi, por nuk do të lejojmë askënd që ta pengojë atë për shkak të frikës që Basha- Alibeaj kanë nga përballja me vullnetin e demokratëve.
Bashkimi vjen përmes votës së lirë. Deri më sot ajo ka qenë e vonuara e madhe. Nuk kemi më kohë për të humbur! Kush dëshiron të lidhë fatin e tij me veglat e Edi Ramës është i lirë ta bëjë, por koha e pengmarrjes së opozitës ka marrë fund! Të gjithë ne deputetë apo anëtarë të thjeshtë jemi të detyruar të pranojmë vendimet e kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit që detyroi proces zgjedhor dhe Kuvendin e radhës. Kuvendi është Forumi më i lartë vendimmarrës në Partinë Demokratike. Askush nuk ka tagër të diskutojë e aq më pak të anulojë vendimet e tij, pasi kështu do të vijonte praktika e shëmtuar ku mendimi I anëtarësisë nuk përfillej.
Të gjithë të bashkohemi në Kuvendin Kombëtar të 30 Prillit. Le të flasim hapur dhe ndershëm, le të paraqesim cdo platformë dhe të votojmë cdo propozim të hedhur. Në fund të respektojmë votën dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar.
/abcnews.al