Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar për platformën e bashkimit të Partisë Demokratike, e cila i është propozuar deputetëve nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, bashkë me 6 pika. Duke theksuar se i ofroi Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeajt një ofertë për bashkimin, por që sipas tij u refuzua prej tyre, Berisha u shpreh se kryetari i komanduar s’ka tagër për të firmosur dokumente në emër të PD. Berisha e cilësoi Alibeajn si bashkëpunëtor të Ramës me ndërmjetës Ramën, ndërsa shtoi se drejtimin e Partisë Demokratike e ka Komisioni i Rithemelimit.
“Edi Rama loz me fasadë. Pas vendimit të gjykatës së Tiranës njeriun e parë që kam takuar që kam shtrirë dorën ka qenë Alibeaj dhe Gaz Bardhi. U ula më së pari me ta për të dhënë mesazhet e shkëputjes nga një periudhë jo normale të partisë dhe përçarje të PD. Njeriu që e krijoi u largua duke marrë të gjitha përgjegjësitë. Por kjo ofertë gjeti refuzimin e zotit Alibeaj. Alibeaj jo vetëm refuzoi ofertën por i urdhëruar nga Ram nëpërmjet Bashës siç e tha vetë Basha në Shkodër, paditi PD në gjykatë. Tani më lejoni tu bëj me dije se padia e tij është absolutisht nul. Kodi i procedurës civile përcakton në mënyrë të kristaltë se kush mund të paraqesë ankim ndaj një vendimi gjykate. Përveç kësaj Alibeaj s’ka asnjë tagër të firmosë një dokument përveçse për kohën që njihej si kryetar i grupit parlamentar. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Tani kryetar është vetëm 1 komisioni i rithemelimit”, tha Berisha.
Lexo edhe: DOKUMENTI/ Platforma e pajtimit, propozimi që pengon Berishën dhe Bashën të marrin drejtimin e PD-së
Deputetët e PD-së kanë marrë ditët e fundit në dorë një dokument me gjashtë pika, zbatimi i të cilave do të çojë në bashkimin e Partisë Demokratike. Siç u publikua më herët në abcnews.al, pika e parë e këtij dokumenti lidhet me denoncimin e gjuhës së urrejtjes nga të gjitha palët ndaj çdokujt në parti, në mënyrë që më pas të shkohet drejt bashkimit. Pikat e tjera duket se rikthejnë normalitetin ne PD, ku kërkohet rikthimi në Grupin Parlamentar të partisë të të gjithë deputetëve që mbështetën Berishën, ndërkohë që kërkohet gjithashtu edhe ndërprerja e çdo procesi të njëanshëm të riorganizimit të partisë, të cilën e ka nisur së fundmi Komisioni i Rithemelimit.
Në dy pikat e tjera, ajo nr,4 dhe nr.5 kërkohet ngritja e një grupi të përbashkët pune që do të koordinoje këtë proces, ndërkohë që si pikë nr.6 është nisja e një procesi ndërgjegjësimi mes demokratëve, i cili do të shërbejë edhe si fushatë pajtimi. Megjithatë, platforma është në formë drafti aktualisht dhe dhe pritet të finalizohet deri në orët e pasditës, por duket se ka deputetë që janë pro në parim të saj duke kushtëzuar mbështetjen e platformës me pengimin e rikandidimit për në krye të PD-së si të Berishës ashtu edhe të Bashës.