Lori Kaçka dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku foli për këngën më të re që ka sjellë në bashkëpunim me Osman Imeraj. Ndër të tjera, këngëtarja tregoi gjatë bisedës me moderatorin Alban Musa dhe arsyen pse la Durrësin për t’u shpërngulur në Kosovë.
“Nuk është se nuk më dha asgjë Shqipëria. Kam qenë pjesë e festivaleve dhe jam vlerësuar. Ka qenë komplet rastësi. Në fillim erdha për të shitur një nga albumet e mia dhe filluan kërkesat për shumë mbrëmje. E kisha pak të vështirë të udhëtoja se nuk ishte dhe rruga e Kombit asokohe.
Kjo ishte një nga arsyet që vendosa të rrija këtu për një kohë të gjatë.“, tha Lori. Duke folur për muajin e Ramazanit, Lori tregoi gjithashtu se agjëron rregullisht prej 21 vitesh. “Ne në fakt kemi një traditë familjare. Gjyshi i mamit tim ka qenë hoxhë dhe na e kanë predikuar ata.
Kështu që në një të ardhme e ndjeva si obligim, është një pastrim i trupit dhe të jep një emocion dhe ndjenjë tjetër. Pastaj të rritet ndjenja e humanizmit. Gjatë këtij muaji kuptojmë shumë gjëra dhe kjo është një ndër gjërat që më plotëson dhe më mbush, më rritet ndjenja për humanizëm.”, tha ajo. /abcnews.al