Futbolli gjerman tronditet nga një skandal i madh financiar. Presidenti Grindel detyrohet të japë dorëheqjen pas akuzave për financime të padeklaruara
Ky njeri i fortë dha dorëheqjen pikërisht për diçka të tillë.
Helmut Kohli nuk u fal nga publiku gjerman pas skandalit të 2 milionë dojçmarkave me burim të padeklaruar, dhe kur babai i bashkimit të Gjermanisë u rrëzua, si mund të mbahej shefi i Federatës së Futbollit?
Rajnhard Grindel dha dorëheqjen pas akuzave nga mediat për financime të pajustifikuara për të.
Revista “Der Shpigel” shkruan se presidenti i DFB-së kishte marrë të ardhura prej 78 000 eurosh, të dhëna nga një kompani e lidhur me federatën, por që nuk ishte bërë publikisht e njohur.
Po ashtu, Grindel u akuzua se kishte marrë dhurata të shtrenjta, si një orë dorë që kushtonte 6 000 euro.
“Bild” u tall: Zyra ishte nja dy numra më e madhe seç duhej për Grinelin! Ish-presidenti sqaron dorëheqjen: Jam thellësisht i tronditur!
“Deili Meil” britanike komenton: Presidenti i Futbollit gjerman dorëhiqet pas 3 vitesh në detyrë, për shkak të pagesave të pajustifikuara!
Dorëheqja e Grindelit ishte një goditje e rëndë për imazhin e futbollit të Gjermanisë, dhe për vetë shtetin e madh europian, vetëm disa muaj pasi ai fitoi të drejtën për të organizuar Kampionatin Europian të vitit 2024.
Lajmet janë që presidenti i ri mund të jetë pikërisht ambasadori i nderit i Gjermanisë për Euro 2024-ën, ish-kapiteni i kombëtares, Filip Lahm.
Gjithsesi, Lahm është shprehur se nuk ka ndërmend të kandidojnë.
Grindel ishte presidenti i dytë radhazi, që largohet me turp, pasi paraardhësi i tij, Volfgang Nirsbah, dha dorëheqjen pas skandalit të pagesave të dyshimta të bëra në FIFA për të fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2006.
Kjo tronditje mund të ndihet edhe në kombëtaren gjermane, e cila më në fund nisi ta merrte veten pas dështimit në Botëror, siç e tregoi me fitoren 3-2 në fushën e Holandës, në eliminatoret e Evropianit./abcnews.al