Komisioneri Europian për zgjerimin, Johanes Hahn, deklaroi se komisioni do të paraqesë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn komentoi dhe protestat në disa vende te rajonit, duke kundërshtuar shprehjen “Pranvera e Ballkanit”.
Komisioni Europian është i vendosur të paraqesë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në raportin që pritet të publikohet në 29 Maj. Kështu është shprehur komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn gjatë një shkëmbimi idesh me komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian.
Johannes Hahn, komisioneri për zgjerimin: Ne në Komisionin Europian do të prezantojmë raportin tonë vjetor lidhur me vlerësimin e reformave të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë në fund të Majit. Ne do të bëjmë një rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por dhe Shqipërinë. Kjo do bëhet zyrtarisht, veçanërisht në vijim të hapave që ka bërë Maqedonia e Veriut. Mendoj se është tashmë vërtetë koha për këtë. Një vit më parë patëm një qëndrim pozitiv të 25 deri në 26 shtete anëtare për këtë. Çështja e emrit u zgjidh dhe tani mendoj, se duhet të hedhim hapin e ardhshëm.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetëve, Hahn ka bërë dallimin midisi protestave në Ballkanin Perëndimor, duke kundërshtuar termin “Pranvera e Ballkanit”. Ai ka siguruar skeptikët e zgjerimit, se procesi i paraanëtarësimit i nënshtrohet unanimitetit të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Johannes Hahn, komisioneri për zgjerimin: Unë nuk do të përdorja termin “Pranvera e Ballkanit, pasi protestat në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri bëhen për arsye dhe motive të ndryshme. Ka shumë çështje të politikës së brendshme që lidhen me këto protesta dhe vijnë si rrjedhim i pakënaqësisë kundrejt qeverive aktuale. Unë dua të shoh shumë pozitivisht hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por rrjedhimisht edhe me Shqipërinë. Secili bëhet nervoz për këtë, por kjo nuk do të thotë gjë tjetër, përveçse që ne do të mund të fillojmë përgatitjet për hapjen e kapitujve të parë të negociatave. Dhe për këtë kërkohet vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare. Pra, vlerësimi i përmbushjes së kritereve kërkon një vendim unanim. Por mesazhi ynë duhet tê jetë nga ana tjetër, se nëse partnerët tanë përmbushin kriteret për hapjen e negociatave, edhe ne duhet të reagojmë pozitivisht.
Johannes Hahn ka qetësuar skeptikët e zgjerimit të Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit, duke thënë se për Kroacinë janë dashur 8 vjet negociata. Sipas Hahn, negociatat me vendet kandidate aktuale do marrin më shumë kohë./abcnews.al