Mbyllen 12 gurore dhe 26 furra gëlqerore në malin e Krujës, Klosi përplaset me pronarët

schedule14:19 - 2 Prill, 2019

schedule 14:19 - 2 Prill, 2019

Tensioni ka shoqëruar mbylljen e guroreve në malin e Krujës paraditen e të martës. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, është përplasur me përfaqësuesit e këtyre sipërmarrjeve, të cilët kërkonin të mos ju mbyllej aktiviteti.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit mbyll 12 gurore dhe 26 furra gëlqerore në malin e Krujës. Gjatë aksionit, i pranishëm ishte dhe ministri Blendi Klosi, i cili u përplas me pronarët e 2 prej guroreve. Përfaqësuesit e këtyre sipërmarrjeve kërkojnë të mos u mbyllet aktiviteti pasi thonë se disponojnë leje për zhvillimin e tij.  Ministri Klosi është treguar i prerë, ndërsa është shprehur se guroret do të spostohen pasi mali i Krujës është shpallur zonë e mbrojtur.

“Kjo do mbarojë një ditë. Këtë duhet të kuptoni. Kjo s’ka për t’u bërë më”, tha Klosi.

Ndërkohë, ministri i Mjedisit dhe Turizmit iu sugjeroi përfaqësuesve të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë të aplikojnë për leje në Ministrinë e Energjetikës dhe të vendosen diku tjetër.

“Ne s’po të themi as të lesh kalamajt pa bukë. Ju s’keni bërë asnjë veprim që të spostoheni”, tha ministri.

Mbyllja e aktivitetit të guroreve që ushtrojnë aktivitetin në malin e Krujës u bë publik në fillim të muajit Mars nga Task-Forca e posaçme, e cila ka ushtruar kontrolle në terren. Përfaqësuesit e katër ministrive konstatuan se subjektet kanë shfrytëzuar malin pa kriter dhe pa respektuar lejet mjedisore./abcnews.al