Si çdo dy Prill edhe ky e gjeti kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Shkodër, në sheshin që mori emrin e datës kur katër të rinj shkodranë, Arben Broci, Bujar Biushanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, 28 vjet më parë dhanë jetën në mbrojtje të idealit për Shqipërinë si gjithë Europa.
Me familjarët e dëshmorëve në krah, kreu i opozitës Basha vendosi kurora me lule në memorialin e ngritur në nder të të rinjve. Në fjalën e tij, Lulzim Basha hoqi një paralele mes kohës kur ndodhi ngjarja e 2 Prillit 91 dhe situatës ku gjendet vendi sot.
“Rrënjët e të keqes nuk thahen, nëse nuk i shkulim një herë e mirë. Rrënjët e të keqes ushqehen me vesin, ushqehen me krimin e pandëshkuar. Sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër sa politike aq dhe kriminale e cila është rritur nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, nga indiferenca dhe toleromi. Prandaj ne ikëm nga ajo strofkull e krimit pasi po të mos iknim do të ishte njësoj sikur të ishim këtu më 2 prill të vitit 1991 por në anën e kundërt, jo në anën e protestuesve, jo në anën e liberatorëve, jo në anën e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës por nën anën e komitetit të krimit, komitetit të partisë së Shkodrës”, u shpreh Basha.
Për të pikturuar Shkodrën, por edhe gjithë Shqipërinë sot, citon At Zef Pllumin.
““Shqipënia e terrorizume kishte ranë në koma, njerëzit e ditun nuk dishin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka , atë që nuk dihej.” Pra, njerëzit e ditur nuk dinin si të mbroheshin sepse të paditurit ishin gati të bënin gjithçka, edhe atë që nuk merrej me mend e s’thuhej akoma. Ky është realiteti i sotëm që na sjell në kujtesë që e vetmja gjë që i duhet të keqes dhe të ligut të triumfojë është indiferenca dhe mosaktivizimit i të drejtit dhe të diturit. Prandaj në këtë 28 vjetor nuk tingëllon kurrë më aktuale sakrifica e dy prillit se sa sot. Sepse asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për tërëzuar me votë qeverinë” , theksoi kryedemokrati.
Asgjë nuk mund të kthejë qetësinë e asaj që quan kufomë politikë të Rilindjes, trashëgimtarëve të denjë sipas Bashës, të 2 Prillit 1991./abcnews.al