Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shpërblime të majme për këdo që ka informacion dhe inforkon blutë në lidhje me vendndodhjen e pesë personave të shumë kërkuar në Shqipëri.
I pari në listën e policisë është Talo Çela, i akuzuar për grabitjen e Rinasit dhe disa vrasje gjatë viteve të fundit, i dyti është Laert Haxhiu, i akuzuar për disa vrasje përfshi edhe masakrën e Lushnjes disa vite më parë.
Lista vjon me Jani Aliajn, i akuzuar për të paktën një vrasje; Ibrahim Licin, i akuzuar për disa vrasje në Shkodër, përfshi atë të dy vëllezërve Bilali dhe Erjon Llapushi, i akuzuar për vrasjen e kryekamaerierit të Fish City në Elbasan.
“Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë”, njofton policia.
Por kush janë të shumë kërkuarit?
Talo Çela
Talo Çela është një nga emrat më të kërkuar të krimit në Shqipëri. 51-vjeçari akuzohet për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit mesditën e 9 prillit të 2019-tës. I shumëkërkuari për këtë dosje, do gjykohet veçmas anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve, pasi me ndryshimet e reja ligjore, çështja e një të dyshuari pezullohet për 1 vit, dhe nëse ai nuk arrestohet brenda këtij harku kohor, atëherë nis gjykimi i tij në mungesë.
Ndaj Talo Çelës, është pezulluar procesi edhe për vrasjet e dyfishta në Durrës, ku mbetën të vrarë katër persona, Anxhelo Avdia, Dorian Shkoza dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura në vitin 2020.
Ai dyshohet se është personi që urdhëroi këto vrasje, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme parash, të grabitura në Rinas.
Ibrahim Lici
Lici akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër. Më e fundit ishte ajo e Endri Mustafës një vit më parë në zonën e Livadheve në Shkodër. Kjo akuzë u kundërshtua një ditë më vonë nga të afërmit të Licit. Po ashtu, policia e akuzon Irahim Licin edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, marsin e vitit 2019 në Shkodër. Në atë kohë u vunë në pranga dy bashkëpunëtorët e tij Arsen Stojku 29 -vjeç dhe Mislim Rama 23 -vjeç nga Vau i Dejës, ndërsa vetë Lici u shpall në kërkim.
Jani Alia
Ai konsiderohet si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptarë dhe drejtues i një organizate të strukturuar, e cila përveç të tjerave, si veprimtari kryesore ka kultivimin dhe trafikimin e drogës. Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 Majit 2016; ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço.
Vrasja në fjalë tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një ambient publik mjaft të frekuentuar nga qytetarët, në zonën e ish-bllokut, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe 1 gazetar të kronikës së zezë.
Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.
Erjon Llapushi
33-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia pasi në tetor të vitit të shkuar vrau duke i përplasur kokën në mur kryekamarierin e Fish City në Elbasan. Në fillim të muajit tetor, Erjon Llapushi shkoi së bashku me një tjetër person në kompleksin në dalje të qytetit të Elbasanit, në aksin në drejtim të Librazhdit.
Shefi i shërbimit të restorantit, Gazment Kurmaku i kërkoi që të ngrihej nga tavolina ku ishte ulur, pasi ishte e rezervuar dhe të ulej në një tjetër, por Erjon Llapushi nuk pranoi.
Situata u agravua dhe Erjon Llapushi e goditi Kurmakun, i cili përfundoi në spital në gjendje të rëndë dhe disa ditë më pas vdiq në spitalin e Traumës në Tiranë.
Laert Haxhiu
Laert Haxhiu është i kërkuar si autor i masakrës në Lushnje në 2017. 30 vjeçari i dënuar në mungesë me 18 vite burg është në kërkim prej 3 vitesh i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës dhe plagosjen e Marius Xhepexhiu. Haxhiu është edhe autor i vrasjes së anëtarit te grupit të Aldo Bares, Gerti Lala.
Për masakrën e Lushnjes GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. Kur ka ndodhur masakra e Lushnjes në shënjestër ka qenë nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ai arriti t’u shpëtoi plumbave në lokal pasi u ngrit nga tavolina pak minuta më herët, ndërsa viktimë mbetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kryesisht të atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Falë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe me qytetarët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë kapur dhjetëra persona në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe në kuadër të krimit të organizuar.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe kërkon sërish bashkëpunimin e tyre për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e disa prej personave më të kërkuar, për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës, konkretisht të shtetasve:
TALO ÇELA, LAERT HAXHIU, JANI ALIA, IBRAHIM LICI DHE ERJON LLAPUSHI
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, Policia e Shtetit vë në dispozicion shuma të konsiderueshme parash.
Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke iu garantuar anonimat të plotë.
?♂️?????Bashkërisht për një ambient më të sigurt! /abcnews.al