Lulzim Basha, tashmë i dorëhequr nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, vijon turin e takimeve në bazë. Jashtë vëmendjes së mediave, ish-kryetari i PD ishte sot në Rrogozhinë.
Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e këtij qyteti. Në krah të tij, ishte gjithashtu edhe kryetari i degës së PD, Ferdinand Saraçi, i cili kandidoi në zgjedhjet e pjesshme lokale. PD-ja zyrtare e drejtuar nga Basha doli forcë e dytë më 6 mars vetëm në këtë bashki, duke e lënë të tretin kandidatin e Berishës.
Kujtojmë se nga momenti që dha dorëheqjen si kryetar, post që e mbante që nga viti 2013, Basha ka vijuar me takimet në bazë. Në deklaratat e tij publike, ai ka përsëritur se do të bëjë gjithçka për bashkimin e demokratëve. Dorëheqjen e tij, Basha e ka cilësuar si hap pas për përmbushjen e këtij qëllimi, ndërsa ka ripërsëritur disa herë se të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Sali Berisha. g.v/abcnews.al