Dolor Bakalli, mjeshtri që kthen gurët në art

schedule14:46 - 1 Prill, 2019

schedule 14:46 - 1 Prill, 2019

Dolor Bakalli është nga ata mjeshtrat e rrallë në vendin tonë që gjithë jetën i ka dhënë formë gurit. Simbole të historisë pellazgo-ilire, po ashtu simbolet kombëtare, historia e Korçës prej fillesës apo aspekte nga mitologjia janë motivet që sheh të ekspozuara në galerinë e mjeshtrit.

Prej 45 vitesh, jeta e Dolor Bakallit, sillet midis gurëve, daltës dhe çekanit, duke transformuar, gjithçka i prek dora. Me pasion të pashterur gdhendjen e gurit e konsideron zanat, profesion dhe art bashkë, që përjetëson më të çmuarën e traditës historike dhe kulturore të zonës. Mjeshtërinë për të përdorur daltën të “vjedhur” e ka qysh nga fëmijëria prej magjistarëve të gurit, korçarë dhe polenakë. Goditja e daltës mbi pllakën shekullore, ndihet e butë, e njëtrajtshme dhe melodike, çfarë bën që motivet të formësohen harmonishëm dhe me saktësi që nuk le vend për gabime.

Simbole të historisë pellazgo-ilire, po ashtu simbolet kombëtare, historia e Korçës prej fillesës apo aspekte nga mitologjia janë motivet që sheh të ekspozuara, sapo hyn në galerinë e mjeshtrit, që ndodhet në zemër të Pazarit, sot rivitalizuar dhe kthyer në atraksion turistik. Vizitorë nga qytete të tjera dhe sidomos të huajt,zgjedhin suveniret historike,ndërsa vendasit,interesohen më tepër për dekoracionin dhe arredimin e ambienteve të shtëpive.

Ashtu si kujdeset, që dalta t’i bindet lëvizjeve të dorës, me të njëjtin kujdes, mjeshtri zgjedh edhe gurët; të fortë,kompaktë dhe solidë, pasi vetëm të tillë mund të durojnë goditjet e daltës. Nga mali i Moravës merr gurët e zinj, nga Mali i Thatë, ata me ngjyre korale, ndërsa pllakat mbi pesë shekullore të dala pas restaurimit të Pazarit janë më të preferuarat për Dolorin që hulumton gjithandej për të gjetur me çfarë motivesh do t’ju japë frymë me teknikën e tij plotësisht artizanale./abcnews.al