Fitorja e përgjysmuar e Erdogan

schedule11:26 - 1 Prill, 2019

schedule 11:26 - 1 Prill, 2019

Opozita në Turqi ka fituar Ankaranë në atë që është cilësuar si një fitore e përgjysmuar e presidentit turk Erdogan. Për herë të parë komunistët fitojnë një provincë, ndërsa nuk kanë munguar as episodet e dhunës, me katër viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Një fitore e përgjysmuar në zgjedhjet vendore në Turqi për koalicionin e Erdogan, që dhe pse ka marrë më shumë vota, ka humbur Ankaranë. Në kryeqytet fitoi socialdemokrati Mansur Javas.

Ndërsa në Stamboll, çdo gjë luhet mes kandidatit të AKP-së Binali Yildirim, i cili deklaroi fitoren pa përfunduar ende numërimi dhe kandidatit të opozitës Ekrem Imamoglu.

Në nivel kombëtar ky është suksesi i radhës për presidentin Erdogan. Një sukses i errësuar nga ai që po profilizohet si një triumf historik i opozitës në Ankara, e cila festoi mbrëmjen e së dielës përballë një turme të madhe mbështetësish.

Javas mundi ish-ministrin Ozhaseki me tre përqind, duke marrë 50 për qind të votave në krahasim me 47 për qin. Pas një cerek shekulli kryeqyteti turk është marrë nga duart e konservatorëve islamikë, duke shënuar një kthesë në politikën turke.

Kanë qenë të shumta polemikat për procesin e votimit në Stamboll, ku kreu i shtetit kishte vendosur kandidatin më të fortë, ish kryeministrin Binali Yildirim, i cili me 98.78% të votave të numëruara dhe me një avantazh prej 5 mijë votash, shpalli fitoren ndaj socialdemokratit Ekrem Imamoglu.

Një deklaratë që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të rivalit të tij, duke thënë se nuk e pranon këtë rezultat. Gjatë mbrëmjes së të dielës, Imamoglu deklaroi se kishte fituar me 29.408 vota dhe akuzoi agjencinë turke shtetërore të lajmeve Anadoll, se nuk po bënte punën e saj pasi nuk po publikonte më të dhëna.

Opozita ka fituar dhe Adanën dhe Antalian, qendra të rëndësishme në bregun mesdhetar duke i hequr nga duart e të djathtës islamike dhe nacionaliste.

Koalicioni i presidentit Erdogan mbetet mbi më shumë se 50 për qind i territorit të vendit. Por për forcat anti-Erdogan është gjithsesi një fitore e vogël. Në Smirnë, qyteti i tretë turk dhe një bastion tradicional laik, është konfirmuar sërish opozita.

Edhe kurdët që ishin përqendruar në juglindje të vendit, kanë marrë disa qytete përfshirë kryrqytetin e tyre Diyarbakir. AKP-ja e Erdoan mbetet parti e parë me më shumë se 45 për qind duke numëruar dhe 6% të marrë nga aleatët nacionalistë. Por socialdemokratët kanë arritur mbi 30 për qind dhe koalicioni i opozitës në përgjithësi I afrohet 40 për qindëshit.

Për herë të parë në historinë e Turqisë, një provincë do të drejtohet nga një kandidat i Partisë Komuniste, në Tunceli, në lindje të vendit Mehmet Fatih Macoglu mori një fitore historike.

Por procesi i votimit u shoqërua dhe nga ngjarje të dhunshme në juglindje të vendit, shpesh skenë e përplasjeve të dhunshme mes klaneve rivale gjatë zgjedhjeve. Viktimat janë të paktën katër, ndërsa të plagosurit me dhjetëra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!