Juve “siguron” Cuadradon, aktivizimi me Cagliarin i rinovoi automatikisht kontratën lojtarit

schedule23:20 - 11 Prill, 2022

schedule 23:20 - 11 Prill, 2022

Juan Cuadrado do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën e Juventusit, të paktën edhe për një sezon tjetër.

Aktivizimi me Cagliarin bëri të mundur edhe rinovimin automatik të kontratës mes palëve, pasi Cuadrado kishte një klauzolë që nëse aktivizohej në 40 ndeshje këtë sezon atëherë do të zgjatej edhe për një sezon tjetër kontrata.

Siç shkruhet nga mediat italiane, kontrata e re që do t’i ofrohet kolumbianit do të jetë deri në verën e vitit 2024 dhe me një pagë dukshëm më të ulët. Aktualisht 33-vjeçari përfiton 5 milionë euro në sezon, ndërsa me kontratën e re Cuadrado do të përfitojë 2.5 milionë euro.

Pra, për ta vazhduar karrierën në “Juventus Stadion”, ai duhet ta pranojë këtë kontratë me pagë të përgjysmuar. Në të kundërtën do te vazhdonte edhe 1 vit tjeter sipas rinovimit automatik.

Kujtojmë që Cuadrado është pjesë e bardhezinjve që nga viti 2015, kur u transferua nga Chelsea për shumën e 20 milionë eurove. Deri më tani, kolumbiani ka realizuar 262 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Juventus-it, prej të cilave ka shënuar 24 gola. /f.a/abcnews.al